Kryeministri Edi Rama nisi rreth orës 13:00 një videomesazh në rrjetet sociale, për të përcjellë siç thotë, një nismë shumë të rëndësishme të Qeverisë që nuk ka lidhje me situatën e krijuar nga koronavirusi.
Nisma lidhej me amnistinë fiskale, një projekt i nisur nga Qeveria para pandemisë, që Rama thotë se shpreson që Parlamenti ta miratojë brenda muajit maj.
Amnistia do të jetë e përgjithshme pra fiskale dhe penale, me përjashtim të të ardhurave të siguruara nga aktivitetet kriminale, që Rama thotë se janë objekt i ligjit special kundër pasurive të krimit të organizuar.
Veç kësaj, nga amnistia përjashtohen politikanët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë. Të gjithë të tjerët mund të përfitojnë.
“Çdo qytetar mund të përfitojë nëse nuk është në kategoritë përjashtuese të mësipërme. Amnistia do të ketë një kohëzgjatje prej një viti dhe të ndahet në 3 fasha katëmujore, në fashën e para detyrimi për të depozituar paratë do të jetë 4 për qind, në fazën e dytë 7 dhe në fazën e tretë 10 për qind”, thotë Rama.
Veç kësaj, kreu i Qeverisë tha se do t’u përgjigjet edhe pyetjeve të ndjekësve të tij në rrjetet sociale për problematikat e shfaqura nga karantinimi dhe masat shtrënguese të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e virusit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.