Para

AMF: Deuroizimi i pasuksesshëm. Njerëzit preferojnë të paguajnë në euro

Të dhënat e raportuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në lidhje me deurozimin tregojnë se në këtë fushë asgjë nuk ka ndryshuar me një periudhë raportimi të mëparshme.

Treguesit e përdorimit të euros në tregjet në mbikëqyrje si pjesë e nismës së vitit 2017 për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe ekonominë shqiptare e konfirmojnë.

Deri më 30.06.2019, primet e shkruara bruto rezultojnë për të gjithë aktivitetin e tregut Jo-Jetë dhe Jetë në rreth 8.1 miliardë lekë. Rreth 32% e tyre është realizuar në monedhën Euro.

Pesha e primeve të shkruara në Euro kundrejt totalit për aktivitetin e Sigurimit Jo-Jetë nuk ka shfaqur ndryshim në krahasim me fundin e vitit 2018, duke qëndruar po në nivelin 31%. Pesha e primeve të shkruara në Euro kundrejt primeve të shkruara bruto në total për aktivitetin e Jetës ka shënuar një rënie modeste me 2% duke arritur në 37%, nga 39% që ka qenë në 31.12.2018. Ndërkohë që vërehen rritje modeste të peshës së primeve të shkruara në Euro për klasën e jetës dhe shëndetit në udhëtim, jetës së studentit, thuhet në raportin e AMF.

Në tregun e sigurimeve disa produkte tipike si kartoni jeshil apo sigurimi kufitar kanë përdorim 100 për qind të euros për lehtësi.

Sipas AMF, tregu i kapitaleve që mbizotërohet nga titujt e borxhit të qeverisë ka nivel të ulët të përdorimit të euros. Raporti tregon se për 6-mujorin e parë të vitit 2019, vlera e transaksioneve në euro është e ulët, pasi gjatë kësaj periudhe nuk ka patur emetime të titujve të Qeverisë Shqiptare në euro. Vlera prej 88.95 milion lekë, i takon transaksioneve në tregun sekondar të obligacioneve 2-vjeçare në euro të emetuara në vitet e mëparshme, përfshirë edhe shumën e shlyerjes në maturim, si pjesë e transaksioneve të tregut me pakicë.

Sipas të dhënave të AMF-së, në tregun e fondit të pesioneve ku operojnë pesë fonde, nga të cilët tre, e kanë veprimtarinë në monedhën vendase lekë, një fond në monedhën Euro, ndërsa fondi tjetër investon kryesisht në monedhën e përbashkët europiane, por edhe ne monedha të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë