Para

AMF, investitorëve: Mos u mashtroni nga persona të paautorizuar nga Qipro

Individë të cilët pretendojnë të jenë punonjës të Komisionit të Letrave me Vlerë të Qipros, apo konsulentë ligjorë të tij, apo punonjës të autoriteteve të tjera financiare Qipriote (Bankës Qendrore e Qipros) po kontaktojnë investitorë të ndryshëm nëpërmjet e-maileve të cilët përmbajnë emrin, adresën, vulën dhe logon zyrtare të CySEC dhe gjithashtu edhe firmën e punonjësve të autoritetit.

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare paralajmëron investitorët të kenë kujdes. Sipas AMF-së personat e paautorizuar premtojnë për kompensime mbi probleme të mundshme që investitorët kanë hasur me disa kompani (platforma tregtimi të letrave me vlerë të cilat ofrojnë produkte spekulative investimi).

AMF, duke u mbështetur në paralajmërimet e CySEC sqaron se Komisioni i Letrave me Vlerë të Qipros nuk dërgon kurrë këto lloj kërkesash tek investitorët apo tek publiku i gjerë, si dhe gjithashtu:

Nuk kërkon asnjë të dhënë personale, apo financiare;
Nuk ka të drejtë të mbledhë tarifa nga investitorë individualë, si dhe nuk ka të drejtë për të caktuar persona të tretë të veprojnë në këtë mënyrë në emër të tij;
Nuk është i përfshirë, dhe nuk ka kompetenca të kërkojë kompensime në grup, në emër të të tretëve.

Rasti më i fundit i një skeme të ngjashme përfshinte një individ i cili hiqej si “Christos Sofroniou”, dhe kishte për qëllim të kontaktonte investitorë në vende të ndryshme (përfshirë edhe vendet e BE-së) dhe t’u mbushte mendjen atyre të paguanin tarifa ligjore për të marrë pjesë në programe të rreme për të rikuperuar humbjet nga platformat e investimit. Në këtë komunikim, logoja e CySEC përdorej në mënyrë të pa autorizuar. Ky individ përdorte adresën elektronike [email protected] si dhe numrat e telefonit +35725654263; +35799711917.

AMF paralajmëron publikun të qëndrojë vigjilent në lidhje me komunikime të ngjashme nga çdokush i cili hiqet si përfaqësues i CySEC apo autoriteteve të ngjashme, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të transferojë para për llogari të tyre.

Investitorët janë të lutur të kontaktojnë CySEC apo çdo autoritet tjetër nga i cili kontaktohen për të verifikuar autencitetin e komunikimit.

Komisioni i Letrave me Vlere të Qipros (CySEC) ka paralajmëruar disa herë publikun se persona të pa autorizuar prezantohen si zyrtarë të Komisionit të Letrave me Vlerë të Qipros (CySEC) ose si përfaqësues të emëruar nga ky Autoritet, duke u kërkuar investitorëve para në këmbim të zgjidhjes fiktive të kërkesave për kompensimin e humbjeve që mund të pësojnë investitorët nga investimi tek një numër shoqërish brokerimi të licencuara dhe mbikëqyrura nga Autoriteti i Qipros.

Me qëllim mbrojtjen e investitorëve në nivel ndërkombëtar, CySEC ka kërkuar nga të gjithë anëtarët e Organizatës Ndërkombëtare të Komisioneve të Letrave me vlerë të asistojnë në publikimin e këtij njoftimi.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është nënshkrues i Marrëveshjes Shumëpalëshe mes anëtarëve të IOSCO-s dhe anëtar me të drejta të plota i kësaj organizate.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë