Ngjarje

Aksidentoi një familje te vijat e bardha, dëshmia e Sulejmanit: Nuk më mbajtën frenat

Gazeta Si - Ajas Sulejmani pretendon se nuk kishte qëllim të largohej pas aksidentit të frikshëm rrugor te “Rruga e Kavajës”.

Ai ishte i traumatizuar dhe thotë se iu desh të dërgonte në spital vajzën e të tij në mitur, e cila ndodhej në sediljen e pasme.

39-vjeçari që përplasi mesditën e të dielës një çift bashkëshortësh dhe foshnjën e tyre, ka theksuar se edhe frenat nuk i kanë mbajtur.

“Kam qenë me shpejtësi rreth 40 km në orë dhe përpara semaforit sapo u bë i kuq, unë nisa të frenoj, por nuk më mbajtën frenat, - ka thënë ai. - Në lidhje me largimin nga vendi i aksidentit, deklaroj se nuk kam pasur qëllim të iki, por duke qenë se ishte edhe vajza ime e mitur, u largova bashkë me të, pasi ajo dhe unë ishim të traumatizuar nga ky aksident”.

Pretendime për të cilat Prokuroria është duke kryer verifikimet dhe pret të administrojë pamjet filmike që e dokumentojnë një gjë të tillë.

LEXO EDHE:
- 96 përqind e të hetuarve për aksidente janë meshkuj. Ekspertët: Problemi nuk zgjidhet me gjoba
- Gjobiten qindra drejtues automjetesh për shkelje të rregullave në rrugë (Video)
- Përplasi këmbësoret në stacionin e autobusit, kërkohen 6 vite burg për shoferen

Prokurorja Elfrida Bregova, pritet të kërkojë arrest me burg për Sulejmanin për tre akuza: atë shkeljes së rregullave të qarkullimit me pasojë, drejtim të automjeteve në mënyrë të parregullt nën ndikimin e drogës dhe largim nga vendi i aksidentit.

Për shkak se në këtë aksident u rrezikua jeta e një të mituri, dosja do të përfaqësohet nga një prokuror për të miturit.

Pas rreth dy orësh është e bërë mundur kapja e drejtuesit të automjetit, që u gjet tek një spital privat.

Nga testi i “Dragerit” doli se ai nuk kishte pirë alkool, por nga testi i drogës, rezultoi se ishte nën ndikimin e lëndëve narkotike.

Sulejmani është justifikuar se merrte disa substance me qëllim rritjen e masës muskulore pasi merrej me palestër.

Pas aksidentit, 39-vjeçari u gjobit me 1 milionë lekë të vjetra dhe u vendos që leja e drejtimit t’i pezullohet për dy vjet.

Mirëpo një gjë e tillë nuk është pranuar nga ai, pasi ka shpreur qëndrim kundërshtues për masën e policisë.

Çifti, së bashku me foshnjën e tyre po kalonin në vijat e bardha në afërsi të “Rrrugës së Kavajës” më 8 maj.

Me shpejtësi dhe me të kuqe, Ajas Sulejmani shkakton aksidentin dhe braktisi aty mjetin luksoz me targa gjermane, duke u larguar menjëherë.

Bashkëshortët A.K., 48 vjeç, V.K., 43 vjeçe, dhe foshnja e tyre 3-muajshe, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Pas analizave në spital, ka rezultuar se kryefamiljari ka fraktura në trup, ndërsa e shoqja ka pësuar hemorragji të brendshme.

Fatmirësisht foshnja e tyre ka shpëtuar pa dëmtime me përjashtim të një gërvishtjeje në faqe.

Mësohet se Gjykata e Tiranës ka shtyrë për të mërkurën vendimin për masën e sigurisë ndaj Sulejmanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë