Ngjarje

Një ‘mal’ me gjoba / Deri në 40 mijë çdo muaj vetëm në Tiranë, por aksidentet veç rriten. Policia Rrugore: Institucionet e tjera s’po bëjnë asgjë

Gazeta Si - Prej të dielës kur Ajas Sulejmani në një rrugë të Tiranës përplasi një çift bashkëshortësh dhe foshnjën e tyre 3-muajshe, Policia e Shtetit ka nisur ofensivën më të madhe ndëshkuese ndaj shkelësve të rregullave automobilistike.

Një reagim i cili ndodh sa herë regjistrohen aksidente të natyrës sensibilizuese. Por Tirana numëron çdo muaj gjoba të shtrenjta, duke nisur nga 30 mijë deri në 40 mijë të tilla ndaj shoferëve shkelës.

Nga ana tjetër, askush nuk jep një shifër të përafërt pranë policisë bashkiake se sa është numri i gjobave që edhe kjo polici pret për qytetarët, që sidomos pretendohet se janë masa për parkim të gabuar për jo rezidentët.

E megjithatë, asgjë nuk i parandalon aksidentet, që në rang vendi  vijojnë të mbeten në të njëjtat nivele.

Gazetasi.al u interesua për statistikat e aksidenteve me pasojë në jetë njerëzish pranë Policisë së Shtetit.

Por tregojnë se pavarësisht çdo aksioni ‘blic’ në autostradë, rrugë interurbane apo rurale, aksidentet nuk kanë të ndalur.

Burimet bënë me dije për Gazetasi.al, se nga janari 2020, deri në dhjetor të 2020 u vranë në rrugë nga aksidentet rrugore 181 shtetas shqiptarë.

Shifrat e të plagosurve përgjatë këtij viti janë alarmante, pasi është shënuar një shifër prej 1.417 personash të dëmtuar rëndë, apo personash që iu ndryshoi jeta përgjithmonë, sepse pas përplasjes fatale ata kanë mbetur invalidë.

Nga ana tjetër, për vitin 2021, të njëjtat të dhëna që iu vendosën në dispozicion Gazetasi.al, shfaqin të njëjtat nivele viktimash e të plagosurish.

Nga janari 2021, deri në dhjetor 2021, 191 shqiptarë u vranë në rrugë, deklaron Policia e Shtetit jo zyrtarisht, ndërsa 1.663 u plagosën.

Gjoba të vendosura për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor ditët e fundit

Në këto shifra alarmante me viktima e të dëmtuar, duhet të mbahet parasysh edhe pandemia dhe kufizimi i lëvizjes së lirë.

Por edhe gjatë kësaj periudhe, gjobat ishin sërish të larta për shkelje të rregullave të pandemisë, që në thelb nuk kishte lidhje me gjobitjet për shkeljet që lidhen drejtpërdrejtë me sigurinë rrugore.

Sikurse deklaroi gjatë një interviste edhe eksperti rrugor, Fatmir Hasho, i cili kërkoi prerje gjobash për tejkalim shpejtësie dhe shkelje të tjera që edukojnë shoferët dhe jo për çështje, siç edhe kryesojnë ato të parkimit.

"Këto gjoba në vetvete nuk lidhen me sigurinë rrugore", tha eksperti Fatmir Hasho për Gazetasi.al.

Një tjetër ekspert i policisë rrugore, i cili prej të dielës ka kaluar në shërbim të përforcuar së bashku me kolegët, ankohet gjatë bisedës me Gazetasi.al, se çdo përgjegjësi mbi sigurinë, i kërkohet policisë rrugore.

Por harrohen institucionet e tjera të autoritetit rrugor, bashkitë dhe institucionet arsimore që duhet të nxisin ndërgjegjësimin e përdoruesve.

Në këtë pikë, eksperti shton edhe një tjetër institucion veç autoritetit rrugor, që sipas tij duhet të lobojë për ndryshime ligjore në Kod Rrugor dhe për rishikimin e tabelave dhe semaforëve.

Ai i konsideron “një katastrofë, tabelat pa sens dhe semaforët pa sens, që iu japin të drejtë edhe shoferëve, edhe këmbësorëve, që janë bërë shkak për aksidente kritike. Skandal është edhe vendosja e tabelave në interes të bizneseve, hapja e rrugëve dytësore në interes të tyre, duke rritur nivelin e aksidenteve automobilistike në akse nacionale. Dhe nëse qëndrojmë në qytet, a e dini se nuk lejohet vendosja e tabelave format reklamë, pasi tërheqin vëmendjen e shoferit? Por ato kanë mbirë kudo dhe bashkia mban përgjegjësi për këtë gjë”, - akuzon burimi i policisë rrugore për Gazetasi.al.

Ndërkohë, institucioni që rendit zyrtari është Inspektoriati i punës.

“Asnjë reagim nuk nga Inspektoriati i punës. Nuk kanë dalë asnjëherë të kryejnë verifikime për zbatimin e ligjit të 18 shkurtit 201, për sigurinë dhe shëndetin në punë, i cili është i prerë. Punëdhënësit janë të detyruar  të trajnojnë rregullisht personelin që drejton automjete. A keni dëgjuar ndonjëherë që inspektoriati të verifikojë nëse trajnohen apo jo përdoruesit e mjeteve nga bizneset dhe punëdhënësit? Me siguri që jo”.

Sipas tij, gati 40% e aksidenteve në botë, por edhe në Shqipëri, kanë si shkaktarë shoferët që automjetin e kanë nën përdorim për shkak të punës që kryejnë.

Sepse, “kur flasim për trajnime, edukim, ndërgjegjësim, ne e kemi te ligjëruar dhe të sanksionuar në ligj detyrimin e punëdhënësit për t’i trajnuar stafet e tyre që drejtojnë automjete. Në Europë, trajnimet dhe ritrajnimet e drejtuesve të automjeteve për kompanitë që zotërojnë flota, bazuar në direktivën 2003/59/KE të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës 15 korrik 2003 “Për kualifikimin fillestar dhe trajnimin periodik të drejtuesve të mjeteve të caktuara rrugore për të gjitha kategoritë e lejes së drejtimit, si edhe për transportin e mallrave ose pasagjerëve, duke ndryshuar rregulloren e këshillit (EEC) nr.3820/85 dhe direktivën e këshillit 91/439/EEC dhe duke shfuqizuar direktivën e këshillit 76/914/EEC”, detyrojnë menaxherët e sigurisë dhe shëndetit në punë të trajnojnë dhe rifreskojnë njohuritë e drejtuesve të mjeteve”, - thekson më tej zyrtari.

Por fushatat sensibilizuese që kryhen më rëndom në Shqipëri, lidhen me aktivitete pa sens, ku iu tregohet qytetarëve se çfarë është një semafor, shpejtësia dhe rreziku prej tij.

“Duhet një fazë tjetër më e kuptimtë, përmes spoteve mediatike, kur të përmenden direkt të vrarët në rrugë, për shembull rrëfimi publicistik i një të dëmtuari që mbeti invalid në rrugë, pasi nuk respektoi semaforin. E dini ju se kalimtarët që mbeten të plagosur, 70% e tyre në Shqipëri janë të pa edukuar për kalimin e aksit me dy makina? Ata kalojnë makinën e parë dhe e dyta i përplas. Këtu nuk largoj përgjegjësinë nga shoferi, por përdoruesit e rrugës, si shoferët, si kalimtarët, duhet ta kenë të qartë se një makinë vret”, - mbyll bisedën eksperti për Gazetasi.al.

Gjatë vëzhgimit të Gazetasi.al mbi operacionet policore të së martës, u vërejt se shumica e të gjobiturve ishin drejtues mjetesh që nuk respektuan vijat e bardha të kalimtarëve, kurse të tjerë ishin shoferë që u konstatuan me gjoba të mbartura dhe të pashlyera.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë