Rend dhe Ligj

Gjobiten qindra drejtues automjetesh për shkelje të rregullave në rrugë (Video)

Gazeta Si - Gjatë 24 orëve të fundit, Policia Rrugore e Tiranës ka vendosur qindra gjoba për drejtuesit që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Masat janë vendosur për mosdhënie përparësie të këmbësorëve, për shpejtësi tej normave të lejuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.

Ndërkohë, shkon në 13 numri i drejtuesve që janë kapur duke drejtuar automjetet nën efektin e lëndëve narkotike. 

Në pranga edhe një drejtues tjetër automjeti që tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masës administrative, pasi drejtonte pa vendosur rripin e sigurimit, një automjet me xhama të errësuar.

Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. A. ka shfaqur sjellje të dyshimta. Pasi i është nënshtruar testimit me aparatin AquilaScan, shtetasi A. A. rezultoi nën efektin e lëndëve narkotike. 

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. A., 21 vjeç, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.  

Gjithashtu, gjatë kontrolleve, në rrugën “Sulejman Delvina”, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë ndaluar drejtuesin e një automjeti me xhama të errësuar, i cili po qarkullonte pa vendosur rripin e sigurimit.

Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i automjetit, shtetasi M. Ç., me qëllim shmangien e ndëshkimit, i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore, një kartëmonedhë 2000 lekëshe. 

Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit

M. Ç., 33 vjeç, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë