Ana e errët

96 përqind e të hetuarve për aksidente janë meshkuj. Ekspertët: Problemi nuk zgjidhet me gjoba

Megjithëse shifrat e të hetuarve për shkelje të rregullave të qarkullimit janë rritur në mënyrë domethënëse gjatë pesë viteve të fundit, këto masa hetimore dhe policore nuk po japin asnjë efekt në uljen e aksidenteve dhe të viktimave që shkaktohen prej tyre.

Në të dhënat që ju vendosën në dispozicion gazetës Si tregohet se për brenda një viti u vendosën nën hetim 4114 shtetas shqiptarë të kapur në flagrancë për njërën nga tri veprat e krimit rrugor, mes të cilave shkelën rregullat e qarkullimit, drejtuan mjetin në gjendje të parregullt apo u larguan nga vendi i aksidentit.

Shoferët e proceduar që përmenden po ashtu në raportin vjetor të kriminalitetit të dorëzuar nga prokurori i përgjithshëm krahasohen vit pas viti përgjatë pesë viteve të fundit dhe aty kuptohet se numri i të ndëshkuarve nga Kodi Rrugor dhe Kodi penal është trefishuar.

Megjithatë aksidentet mbeten në vendqëndro, ndonëse edhe gjobat prodhojnë shoferë të ndëshkuar administrativisht që janë kapur nga patrullat me njërën nga shkeljet klasike, ose duke folur në telefon, ose me shpejtësi të lartë. Fatmir Hasho flet për rastet më të fundit duke nisur nga përplasja e një fëmije të mitur dhe prindërve të tij në rrugën e Kavajës.

Ashtu si Aljas Sulejmani, i cili po qarkullonte me shpejtësi, por edhe të tjerë që kryejnë aksidente megjithëse patenta iu është hequr, eksperti Hasho i thotë gazetës Si se policia duhet të kryejë skanim të qënësishëm, se çfarë ndodh me të gjithë ata që janë përsëritës në shkelje dhe ndaj të cilëve ka tolerancë.

Hasho thotë “ka një mospërputhje, i njëjti person është kapur prapë në makinë i dehur. Po ju jap një shembull konkret, ai shoferi i autobusit që u kap me pije alkoolike, ishte kapur në 2019 po me pije alkoolike në timon. A mund të dimë ne pse në timon ky person kur kishte patur precedent? A mund ta dimë ne kush i kontrollon këta shoferë se drejtimi i mjetit në gjendje të dehur është jo vetëm pjesë e ligjit por edhe e moralit”.


Në gjykatën e Tiranës çdo ditë dalin përpara gjykatës për drejtim mjeti në gjendje të parregullt katër deri në pesë persona të ditë. Shumica e tyre lihen të lirë, ose me masën e detyrimit me paraqitje ose nën arrest shtëpiak në rast se kanë shkaktuar pasojë.


Policia pretendon nga ana e saj se një nga shkaqet se përse qytetarët janë të rënduar psikologjikisht është pikërisht trajtimi me dorë të hekurt ndaj shkelësve të ligjit që gjobiten. Në njërën nga këto raste që ju vendos në dispozicion gazetës Si nga komisariati numër pesë thuhet: Dy efektivët po patrullonin në qendër Kamëz dhe konstatuan mjete të ndaluara dhe për to kanë filluar plotësimin e procesverbaleve për shkeljet e konstatuara.

Policia u afrua pranë veturës benz që shoferi e kishte lënë bllokazh dhe në të nuk ndodhej as drejtuesi dhe as ndonjë pasagjer.

Në këto momente nga një farmaci aty pranë shtetasi A.M., i cili filloi të bërtiste ndaj policisë me fjalët “çfarë jeni duke bërë, kujt i vendosni gjobë ju?”. Në debat e sipër qytetari raportohet për gazetën Si se i rrëmbeu stilolapsin efektives si dhe gjobën që pasi e grisi e flaku përtokë. I riu që më pas u arrestua në flagrancë nga dy kolegët e polices rrëfeu në prani të avokatit se kishte një të afërm sëmurë dhe se kishte ndaluar vetëm një minutë sa të blinte medikamente.

"Nuk ishte problemi tek gjoba, por tek shfaqja e tyre sa hap e mbyll sytë. Isha i shqetësuar për shëndetin e të afërmit dhe plani im nuk ishte kundërshtimi i policisë, isha në gjendje të paqetë për hallet e mia”, tha qytetari.
Por a ndikojnë gjobat e vendosura në uljen e aksidenteve në rast se hetimet nuk ndikojnë? Eksperti Hasho është i rezervuar edhe për to, pavarësisht se vetëm për një javë policia deklaron se preu gati 16 mijë gjoba rrugore në gjithë vendin për shkelësit.
“Nuk ndikojnë fare po fare përderisa përditë ne shohim që shkeljet i kryejnë ata që kanë para të paguajnë. Po ta përsëris gjobat i marrin ata që paguajnë edhe bëjnë prapë shkelje. Për mendimin tim duhet të rritet koha e rritjes së heqjes së lejes së drejtimit duhet kontrolluar. Të eleminohen ankimimet administrative në gjykatë. Jam për policinë e lëvizshme dhe jo statike që të mos njihen dhe të konstatojnë shkeljen e ta presin. Tjetra, duhet parë se për çfarë shkeljesh janë këto gjoba. Kam frikë se një gjobë parkimi siç kryesojnë nuk kanë lidhje me aksidentet” këmbëngul Hasho për gazetën Si.

Kush u gjobit? Nga të dhënat statistikore të prokurorisë së përgjithshme koeficientin më të lartë të të dënuarve për rregullat e qarkullimit në masën 65 përqind e kapin shtetasit e papunësuar dhe vetëm 0, 35 përqind e tyre janë përsëritës për krime rrugore, kurse 4.37 përqind janë të dënuar për vepra të tjera. Për gjeografinë sociale të tyre organi qendror i akuzës konsideron se numrin më të lartë të të hetuarve për aksidente, shkelje dhe largim nga aksidenti e zënë të proceduarit në kryeqytet në masën 34 përqind, kurs ekoeficienti më i lartë për 100 mijë banorë rezulton në qarkun e Lezhës me 421 procedime.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë