Ka ndodhur

Video/ Arrestohet shoferi që përplasi me makinë çiftin dhe fëmijën 3-muajsh në Tiranë. Del pozitiv në testin e drogës

Nga Gazeta Si - Një çift bashkëshortësh dhe fëmija e tyre 3 muajsh u përplasën nga një mjet në një aksident të frikshëm në Tiranë dhe ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Ajas Sulejmani, 39 vjeç, kaloi me të kuqe në semafor, përplasi çiftin dhe foshnjën dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit në drejtim të rrugicave të lagjes në Rrugën e Kavajës pranë zonës së ish-Parkut.

Ai ishte një person që kishte disa gjoba të mëparshme për shkeljen e rregullave të qarkullit rrugor, madje 3 javë më pari ishte ndaluar sërish.

Pak minuta pas ngjarjes së rëndë, 39-vjeçari është vënë në pranga. Sulejmani u arrestua në një spital privat disa orë pas arratisjes nga vendi i ngjarjes. Pas kryerjes së analizave, ai ka rezultuar pozitiv në testin e drogës.

Ndërsa policia në një njoftim bën të ditur se shoferi ka qenë shkelës sistematik i rregullave të qarkullimit rrugor.

Aksidenti ndodhi në Rrugën e Kavajës, në një zonë shumë të frekuentuar nga kalimtarët.

Prindërit e aksidentuar ndodhen në gjendje kritike për jetën. Ndërkohë, fëmija 3 muajsh është jashtë rrezikut për jetën.

Paraprakisht dyshohet se shoferi, i cili drejtonte mjetin tip “G-Class”, ka kaluar semaforin me të kuqe dhe i ka përplasur këmbësorët tek vijat e bardha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë