Drejtësia

Aksidentoi çiftin Konomi te vijat e bardha, lirohet nga qelia Ajas Sulejmani

Gazeta Si - Ajas Sulejmani, i cili përplasi me makinën e tij tek vijat e bardha në zonën e 21-Dhjetorit, çiftin Konomi dhe foshnjën e tyre 3-mujshe, ka lënë qelinë.

Gjykata e Tiranës ka zbutur masën e sigurisë ndaj tij, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, duke vendosur që 39-vjeçari të hetohet i lirë.

Në seancën gjyqësore, togat e zeza të kryeqytetit pranuan kërkesën e Sulejmanit për masë më të butë sigurie edhe për shkak të normalizimit të marrëdhënieve mes palëve.

Ndërkohë një tjetër argument i 39-vjeçarit për masë më të butë, është fakti se ai ishte baba i tre fëmijëve të mitur.

Aksidenti i rëndë ndodhi mesditën e 8 majit, ku Sulejmani ishte duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara drejt “21 Dhjetorit”.

Ai u fut me semafor të kuq, e si rrjedhojë përplasi te vijat e bardha familjen Konomi.

Pasi shkaktoi aksidentin, ai braktisi mjetin me targa gjermane dhe u largua menjëherë, por pas 3 orësh u arrestua ne një spital privat po në Tiranë.

I riu pretendonte se ishte larguar nga vendi i ngjarjes, pasi në makinë kishte vajzën e tij të traumatizuar dhe se kishte marrë lëndime.

Pas arrestimit, Prokuroria e Tiranës ngriti tre vepra penale ndaj tij: “Shkelje e rregullave te qarkullimit rrugor”, “Largim nga vendi i aksidentit” dhe “Drejtim mjeti ne mënyrë të parregullt”.

Pajisja drogë-testuese e policisë, zbuloi që 39-vjeçari ishte përdorues i dy llojeve të ndryshme lëndësh narkotike.

Ndërkohë, çifti Arjan dhe Vilma Konomi qëndruan disa javë në spital, pasi pësuan fraktura të rënda.

Edhe pse kanë pësuar trauma të ndryshme, ata janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa foshnja i tyre 3-muajshe, pësoi vetëm një gërvishtje në pjesën e fytyrës pa probleme serioze.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë