Ka ndodhur

Video/ Aksidenti te ‘Rruga e Kavajës’, gjykata jep arrest me burg për Ajas Sulejmanin

Gazeta Si - Gjykata e Tiranës ka dhënë këtë të enjte masën e sigurisë “arrest me burg” për Ajas Sulemanin.

Vendimi u mor 4 ditë pasi 39-vjeçari përplasi me makinë në vijat e bardha çiftin Konomi dhe foshnjën e tyre 3-muajshe.

Përpara gjykatës, avokati i mbrojtës i Sulejmenit, Elton Hyseni ka kërkuar masë më të butë sigurie, atë të “arrestit shtëpiak”, me pretendimin se është baba i tre fëmijëve të mitur.

Sulejmani, i cili u arrestua të dielën në 8 maj, dy orë pas ngjarjes, është shfaqur i heshtur në gjykatë, ndërsa seanca u zhvillua me dyer të mbyllura.

Ai nuk ka folur asnjë fjalë përpara gjykatës, duke u shprehur se është dakord me avokatin e tij. 

Prokurororja Elfrida Bregova kërkoi 'arrest me burg' për Sulejmanin për tre akuza: atë shkeljes së rregullave të qarkullimit me pasojë, drejtim të automjeteve në mënyrë të parregullt nën ndikimin e drogës, largim nga vendi i aksidentit.

Dosja hetimore ka kaluar edhe në seksionin për të miturit, për shkak se dy nga të dëmtuarit e këtij aksidenti të rëndë, janë foshnja 3-muajshe dhe një djalë i vogël që po kalonte në ato momente me biçikletë.

Gjatë fazës hetimore, Ajas Sulejmani, ka pranuar se largimin nga vendi i aksidentit, e ka kryer në kushtet e tronditjes së fortë të tij dhe vajzës së vogël që ndodhej në sediljen e parë të makinës.

Hetimet treguan se 39-vjeçari Ajas Sulejmani ishte përdorues i dy lëndëve narkotike, të kanabisit dhe drogës sintetike metamfetaminë.

Megjithatë, ai pretendoi se lënda narkotike nuk është shkaku dhe se ai ka qenë duke lëvizur me rreth 40 kilometër në orë.

“Para semaforit frenova, – ka treguar Sulejmani, - por makina nuk ndali dhe nuk munda ta evitoja”.

Sulejmani, me makinën e tij “G-CLASS” të zi, kaloi me semafor të kuq dhe përplasi çiftin Konomi në vijat e bardha të rrugës, teksa me vete kishin edhe një foshnjë 3-muajshe, e cila shpëtoi fatmirësisht pa asnjë lëndim.

Gjendja shëndetësore e bashkëshortëve paraqitet e qëndrueshme, ndërsa kanë dalë tashmë nga trajtimi intensiv.

Për fat të mirë, foshnja nuk pësoi asnjë lëndim serioz, përveç një gërvishtjeje në faqe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë