Ngjarje

Gjobë 1 mln lekë dhe 2 vjet i hiqet patenta, por Ajas Sulejmani nuk është dakord!

Gazeta Si - Ajas Sulejmani është gjobitur me 105 mijë lekë dhe i është hequr patenta për 2 vite për aksidentin e rëndë që shkaktoi më 8 maj 2022 në “Rrugën e Kavajës”.

Ai përplasi në vijat e bardha një çift bashkëshortësh dhe foshnjën e tyre 3-muajshe, duke i lënë të plagosur.

Në gjobën e policisë, Sulejmanit i është pezulluar patenta edhe për 2 vjet përveç gjobës.

Shkeljet e kryera nga ai janë mosrregullim i shpejtësisë, kalim i semaforit të kuq, mosdhënie e ndihmës ndaj të aksidentuarve, largim nga vendi i aksidentit.

Por ajo që bie në sy në fletën e gjobës është fakti se Ajas Sulejmani, në nënshkrimin që ka bërë, nuk e pranon këtë gjobë, duke ka shkruar: “Nuk jam dakord”.

Po ashtu, Ajas Sulejmani nuk e kishte të pezulluar lejen e drejtimit. Edhe pse ishte gjobitur disa herë për shkelje të rregullave të qarkullimit, ai vazhdonte të qarkullonte me makinë, pasi nuk ishte marrë asnjë masë shtesë ndaj tij.

Një gjë të tillë e konfirmon edhe drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Rrugore, Blendi Gonxhe.

Ai tha se Sulejmani e kishte marrë patentën para 8 vitesh në Gjirokastër dhe kishte gjithsej tetë shkelje, por jo të rënda.

“Ka pasur tetë shkelje, por nuk ka pasur pezullim patente. Ka marrë patentën para tetë viteve në Gjirokastër, nuk ka masa në progres me njëra-tjetrën, - pohoi Gonxhe. - Ka vetëm një shkelje në vitin 2021 dhe një në 2022”.

Pas aksidentit të së dielës në Rrugën e Kavajës, 39-vjeçarit i është pezulluar patenta 24 muaj, pasi doli se kishte përdorur lëndë narkotike në testin e drogës.

Gjatë kësaj kohe, kishte masa administrative të ndryshme në historikun e tij si drejtues mjeti, nga të cilat dy për shkelje të sinjalizimit rrugor, një për shkelje semafori, një për shpejtësi mbi normat e lejuara, një për rrip sigurie, një për xhamat dhe dy për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Vetëm fati ka shpëtuar nga vdekja një familje në mes të Tiranës, pasi u përplasën nga një makinë luksoze “G-Class” që udhëtonte me shpejtësi.

A.K., dhe V.K., bashkë me foshnjën e tyre 3 muajsh po kalonin vijat e bardha, ku mjeti tip “G-Class” i mori përpara.

Fatmirësisht foshnja shpëtoi pa dëmtime të rënda, pasi nëna e tij mundi ta shtynte karrocën, duke e shpëtuar nga përplasja fatale. Këtë të hënë, ai ka lënë spitalin.

Megjithatë, makina përplasi prindërit e foshnjës, të cilët ndodhen ende nën kujdesin intensiv të mjekëve për shkak të plagëve të marra.

Në timon ishte Ajas Sulejmani, 39-vjeç, i cili nuk respektoi semaforin, nuk uli shpejtësinë dhe nuk respektoi vijat e bardha kur po kalonte familja.

Pas aksidentit Ajas Sulejmani u largua nga vendngjarja, duke e lënë familjen që aksidentoi në mes të rrugës, pa i dhënë ndihmën e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë