Mendim

A po i afrohet Kosova kolapsit të sistemit shëndetësor nga koronavirusi?

Afrimi, një burrë rreth 50 vjeç, po endej nga njëra dhomë e Klinikës së Emergjencës në tjetrën. Herë ndalonte e bisedonte me ndonjë mjek që i kalonte pranë, e herë kapte telefonin duke u përpjekur ta kontaktonte dikë.  Para rreth dy orësh, ai e kishte sjellë me urgjencë nënën e tij 83 vjeçare. Ajo kishte kollë dhe vështirësi në frymëmarrje, të cilat ia pamundësonin qëndrimin në këmbë.

Dyshimet ishin se ajo ishte infektuar me Covid-19. Klinika e Emergjencës është porta kryesore prej nga hyjnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pacientët që kanë nevojë për trajtim urgjent. Pas diagnostikimit dhe trajtimit akut, kjo klinikë i drejton rastet për trajtim afatgjatë në klinikat e tjera të QKUK-së.

Por, për shkak të rritjes së vrullshme të rasteve me COVID-19, është rritur edhe numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në QKUK, gjë që po e bën të vështirë sistemimin e pacientëve nga Klinika Emergjente në klinikat që tani njihen si “Covid”.

“Mjekët po thonë që nuk ka vende të lira”, tregon Afrimi me shqetësim.  Nëna e Afrimit qëndroi në Emergjencë gati tërë ditën. Në mbrëmje, ajo u dërgua në Klinikën e Pulmologjisë.

Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK Basri Lenjani thotë se pacientët që vijnë në këtë klinikë qëndrojnë nga katër deri në gjashtë orë; por, ai shton se së fundmi është bërë i vështirë sigurimi i vendeve në klinikat ku po trajtohen pacientët me COVID-19.

“Shpeshherë jemi të detyruar të presim me orë të tëra deri në sigurimin e vendeve nëpër klinkat sipas natyrës së problemeve. Ky problem është sidomos në kohën e fundit për rastet e dyshuara apo konfirmuara me COVID-19, për shkak të vendeve të limituara”, thotë Lenjani. 

Sipas ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) Valbon Krasniqi, në QKUK dhe në spitalet rajonale janë rreth 700 shtretër në dispozicion për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Mbi 600 prej tyre, sipas tij, janë aktualisht të zënë me pacientë. Ndërkohë ky numër po vazhdon të rritet. Deri të hënën (më 10 gusht) numri i shtretërve të zënë me pacienë të dyshuar apo konfirmuar me COVID-19 ishte 654.

Kurba e rasteve të konfirmuara me COVID-19 dhe e vdekjeve nga kjo sëmundje ka marrë pamje dramatike.  Numri i rasteve të reja të konfirmuara po e kalon numrin 200 brenda ditës, ndërsa vdekjet nga ky virus janë janë dyfishuar në krahasim me katër muaj më parë.

Rritje e ashpër e rasteve ka ndodhur që prej muajit qershor, kohë e cila përkon me heqjen e masave parandaluese dhe ndryshimet në pushtetin qendror.   Disa sektorë të biznesit u hapën, orari i  lëvizjes së qytetarëve u zgjat, rifilloi mbajtja e ceremonive fetare, ndërsa qendrat e karantinimit u mbyllën. Që nga 1 qershori u hapën edhe kufijtë, teksa zyrtarët qeveritarë vazhduan të bënin thirrje për respektimin e masave mbrojtese si distanca fizike, mbajtja e maskës dhe higjienës personale.

Masat vazhduan të hiqeshin edhe pas krijimit të qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti. Një nga vendimet e para të Qeverisë Hoti ishte largimi i kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, i cili atëherë ishte prej orës 21:00 deri në orën 05:00.

Sot, dy muaj më vonë, mbështetur në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), numri i rasteve pozitive është rreth 10,500. Nga ky numër, mbi 4 mijë raste janë aktive. Ky numër mendohet të jetë edhe më i lartë, pasi numri i testimeve ka mbetur i njëjtë — rreth 400 çdo ditë.

Ndërkaq, deri në publikimin e këtij artikulli, 354 persona kanë vdekur nga koronavirusi. Arsyeja e kësaj rritjeje, sipas Minsitrit aktual të Shëndetësisë Armend Zemaj, është balancimi mes shëndetit publik dhe “shëndetit ekonomik dhe mental”.

“Kur e kam marrë mandatin si ministër i Shëndetësisë, në kohën kur ka filluar lehtësimi i masave, kam qenë i vetëdijshëm se do të ketë rritje të rasteve me COVID-19. Kam qenë i vetëdijshëm edhe për presionin nga dikastere të ndryshme për hapje”, ka thënë Ministri Zemaj në një konferencë para disa ditëve.  

Në anën tjetër, spitalet po mbushen me pacientë Krasniqi thotë se ka një fluks të madh të pacientëve që vijnë me forma të rënda të sëmundjes dhe të cilët kërkojnë shtrim në spital.

“Kjo po e vë sistemin tonë para një presioni të madh për të rritur kapacitetet e shtretërve, dhe krahas rritjes së kapaciteteve të shtretërve, pastaj përcillet me një numër të madh të personelit shëndetësor që duhet të angazhohet për t’i trajtuar këta pacientë”, thotë ai.

Krasniqi tregon se janë duke punuar edhe në krijimin e një spitali të përkohshëm, i cili do të shërbente vetëm për pacientët me COVID-19. Ky spital i përkohshëm — që do të ketë afërsisht 500 shtretër — pritet të jetë funksional brenda dy muajve.

Kryeministri Hoti ka thënë se qeveria po ashtu është duke e shqyrtuar edhe përshtatjen e spitalit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Tani për tani,  pacientët me Covid-19 në Kosovë po trajtohen në katër klinika të QKUK-së dhe në gjashtë spitale rajonale. Në QKUK, pacientët po trajtohen në Klinikën Infektive, në Klinikën e Pulmologjisë, në Klinikën e Neurologjisë, në Klinikën e Mjekimit Intensiv, si dhe në njërin repart të Klinikës së Gjinekologjisë, i cili së fundi është vënë në dispozicion për këta pacientë.

Pacientët po ashtu po trajtohen edhe në spitalet rajonale të Pejës, të Prizrenit, të Gjakovës, të Gjilanit, të Ferizajt, dhe të Vushtrrisë.  

Drejtori i Spitalit të Vushtrrisë Mursel Pllana thotë se ata janë duke u ballafaquar me një mungesë të theksuar të infermierëve. Problem tjetër që përmend ai është edhe mosha e vjetruar e personelit mjekësor, shumë prej të cilëve kanë edhe vetë probleme shëndetësore.

Që prej muajit korrik, Spitali i Vushtrrisë është përshtatur për trajtimin vetëm të pacientëve me COVID-19. Veç Shërbimi Emergjent është në dispozicion për pacientë të tjerë, por sipas Pllanës, ky shërbim është vetëm për “emergjencat ekstreme” si problemet akute koronare, të cilat kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme Pacientët e tjerë po dërgohen në Spitalin e Mitrovicës, i cili është rreth 15 kilometra larg.

Spitalet tjera ndërkaq i kanë reduktuar shërbimet për problemet që nuk lidhen me COVID-19.  Drejtori i Spitalit të Pejës Muhamet Halitaj thotë se pacientët me COVID-19 fillimisht u sistemuan në dy repartet e spitalit: repartin e Infektivit dhe Pulmologjisë. Por, pasi që këto dy reparte u mbushën, ata u detyruan ta përshtatin edhe repartin e Psikiatrisë. Si pasojë e kësaj, rastet e tjerë të cilat nuk janë urgjente nuk po trajtohen fare.

“Ne jemi në një situatë emergjente” thotë Halitaj. “Ne i kemi ndaluar të gjitha shërbimet të cilat nuk kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Për shkak se rastet me COVID-19 janë më të rënda, ne gradualisht po orientohemi krejtësisht vetëm në trajtimin e këtyre pacientëve”.

Situata është e ngjashme edhe në Spitalin e Prizrenit. Drejtori Afrim Avdaj thotë se vetëm një nga tri godinat e spitalit po përdoret për shërbime të tjera, ndërsa dy të tjerat janë vënë tërësisht në dispozicion të pacientëve me COVID-19. /Kosovo2.0/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë