Rend dhe Ligj

SPAK s’ka më kohë! Po shkelen të gjitha afatet për t’u krijuar

Data 7 shkurt është afati u fundit për aplikimin e prokurorëve që duhet të bëhen pjesë e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, organ që do të hetojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë në Shqipëri. Garës së hapur nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë deri më tani i janë përgjigjur vetëm dy prokurorë aktualë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda: Besnik Muçi, i cili është konfirmuar nga KPK dhe Klodian Braho.

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) në një raport sa i përket ecurisë së procesit të ngritjes së SPAK, por edhe Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, thekson se edhe pse deri në datën 7 shkurt 2019 mbetet ende kohë për të aplikuar, numri i ulët i deritanishëm i aplikimeve përbën një sinjal jo pozitiv për ecurinë e ngritjes së SPAK.

“Prokuroria e Posaçme nuk mund të përbëhet nga më pak se 10 prokurorë, numër ky i nevojshëm për zgjedhjen e drejtuesit të këtij institucioni dhe vijimin e ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe kapaciteteve administrative të SPAK. Në rastin kur më pak se 10 prokurorëve do të plotësojnë kushtet përfshirë Vetting-un për t'u emëruar prokurorë në Prokurorinë e Posaçme, KLP e konsideron këtë një çështje për diskutim dhe për të cilën do të marrë një vendim bazuar në rezultatet e procesit të aplikimit”, thuhet në raportin e CSDG-së.
SPAK është parashikuar për t’u ngritur me 15 anëtarë, por kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi në një intervistë të dhënë në media ka ndarë mendimin se ky institucion i rëndësishëm mund të nisë nga puna edhe me 10 prokurorë.

Në funksion të menaxhimit të proceseve ligjore për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme dhe SPAK, si dhe atyre të lidhura me strukturën dhe buxhetin e institucionit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka marrë një sërë masash paraprake për t'i paraprirë ecurisë normale të ngritjes së organeve kryesore kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në mbledhjen e fundit të zhvilluar në 21 janar 2019, KLP ka miratuar një sërë masash ndër të cilat përfshihen: Lehtësimi i dokumentacionit të kërkuar për aplikimin në Prokurorinë e Posaçme; KLP ka konsideruar të panevojshëm disa dokumente të përfshira në thirrjen për aplikim përmes një email-i dërguar të gjithë prokurorëve; Miratimi i buxhetit dhe strukturës së KLP-së në përputhje me ngarkesën dhe ushtrimin e plotë të kompetencave; (miratimi i strukturës së KLP, e cila përfshin një strukturë shtesë ndihmëse me 6 prokurorë; Marrja e masave për kalimin tranzitor nga Prokuroria e Përgjithshme të kompetencës së KLP-së lidhur me vlerësimin e performancës së prokurorëve dhe realizimin me cilësi dhe në kohë të kësaj përgjegjësie projektvendim për plotësimin e burimeve njerëzore dhe teknike; Nevoja për të bërë prezente tek KPK rivlerësimin me përparësi të kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme.

Megjithëse procedurat e rivlerësimit për prokurorët në të dyja Prokuroritë e Krimeve të Rënda (Shkalla e Parë dhe e Apelit) kanë filluar, duke iu referuar shorteve të datave 12 dhjetor 2017 dhe 15 janar 17 shtator 2018, vetëm 5 prej tyre kanë kaluar gjykimin në shkallën e parë në KPK, prej të cilëve 4 janë konfirmuar.

Nga prokurorët e konfirmuar 2 janë zgjedhur anëtarë të KLP-së dhe vetëm 1 prej tyre ka shprehur interes duke aplikuar në Prokurorinë e Posaçme. Ende një numër i madh i prokurorëve të krimeve të rënda, ndër kandidatët më të mundshëm për SPAK do të duhet ti nënshtrohen procesit të rivlerësimit. “Nevoja për të prioritarizuar rivlerësimin e tyre mbetet tejet imediate, duke pasur në konsideratë që ky proces është kushti kryesor për emërimin e tyre në Prokurorinë e Posaçme”, thekson raporti.

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion
E njëjta situatë pothuajse është edhe me Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, pasi ky proces nuk ka përfunduar ende. Deri tani vetëm për dy gjyqtarë të Gjykatave të Krimeve të Rënda ka përfunduar procesi i vlerësimit në shkallë të parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), njëri prej të cilëve është zgjedhur anëtar në KLGJ.

Ndërkohë asnjë nga gjyqtarët e tjerë të Krimeve të Rënda nuk i është nënshtruar ende rivlerësimit nga KPK, duke sjellë për pasojë që emërimi i përkohshëm i tyre të varet vetëm nga vendimi për kufizimin e privatësisë.

Emërimi i gjyqtarëve në Gjykatat e Posaçme duhet të përfundojë brenda 2 muajve nga krijimi i KLGJ-së, që do të thotë se ky proces duhet të ndodhë brenda muajit shkurt. Brenda këtij afati Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Gjykata e Apelit për Krime të Rënda duhet të emërojnë gjyqtarët dhe të fillojnë të ushtrojnë kompetencat e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Me qëllim fillimin e procedurave të rivlerësimit për këto subjekte, KPK në shortin më të fundit të hedhur në muajin janar 2019 ka përfshirë dhe renditur të 13 gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Nga kjo gjykatë deri tani vetëm njëri nga gjyqtarët ka kaluar procesin e rivlerësimit, ndërkohë që procedurat e rivlerësimit për kryetarin e kësaj gjykate kanë filluar më herët.

Edhe Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ndodhet në të njëjtën situatë pasi vetëm një gjyqtare është konfirmuar nga KPK, por në këtë rast procedurat e rivlerësimit për gjyqtarët e kësaj gjykate kanë filluar më herët si rezultat i shorteve të mëparshme. Megjithatë, edhe pse për gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda shorti për fillimin e procedurave të rivlerësimit është zhvilluar që në 15 Maj 2018, gjatë gjithë kësaj periudhe KPK nuk ka zhvilluar asnjë seancë dëgjimore për gjyqtarët e Apelit.

Ndërkombëtarët kanë apeluar që prokurorët dhe gjyqtarët të aplikojnë për t’u bërë pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë. Zyra e Delegacionit Europian në Tiranë dhe Ambasadori Luigi Soreca kanë nxitur prokurorët për të aplikuar për vendet vakante në Prokurorinë e Posaçme. Në të njëjtën kohë, kur pritet të avancojë edhe procesi i ndërtimit të kapaciteteve të Gjykatave të Posaçme dhe SPAK, del në pah nevoja e koordinimit të një sërë aspektesh teknike, logjistike dhe ligjore të procesit. Një nga komponentët kryesorë të këtij procesi i referohet hartimit dhe konsultimit të akteve nënligjore të reformës në drejtësi, proces i cili është zhvilluar me asistencën e aktorëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë si EURALISU, USAID dhe OPDAT.

Ministria e Drejtësisë ka hartuar dhe konsultuar me aktorë shtetërorë dhe të shoqërisë civile 8 akte nënligjore në zbatim të ligjeve të reformës në drejtësi. Ky proces ka synuar ndër të tjera të ndihmojë edhe Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë në aktivitetin tranzitor të punës së tyre.

Lista e gjyqtarëve të renditur në tabelë i referohet shortit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë