Të pasurit, argumenton “The Economist”, po paguajnë më shumë nga se i takon dhe çdo tentativë për t’i taksuar ata më tej, do të jetë e dëmshme për ekonominë. Kjo nuk qëndron.
“The Economist” e përshkruan sistemin e taksimit të të pasurve si “shteti i Robin Hood”, por më shumë i ngjan një Artistokracie. Klasa e Aristokratëve, në Francën para-revolucionare, nuk paguanin taksa. Sepse ky status mund të arrihej me të blerë ose me të lindur. Një ekonomist e përshkruante si: për t’u bërë fisnik, duhet të bëhesh i pasur dhe për të shmangur taksat duhet të jesh fisnik. Pra ka vetëm një mënyrë për t’ju shmangur taksave dhe ajo është pasuria.
Kështu është edhe në Amerikë sot. Punonjësit, sidomos ata me pagë të lartë, paguajnë goxha për fitimet e tyre, ndërsa ata që janë pasuruar, jetojnë tax-free. Ky është rezultati i një dështimi themelor të sistemit amerikan të taksave, që nuk ngarkon me taksa burimet më të zakonshme të të ardhurave për të pasurit e jashtëzakonshëm: fitimet nga investimet dhe pasuritë e trashëguara.
Si mund të jetë kjo e vërtetë përballë statistikave që ofron The Economist, se “1% më e pasur e Amerikës përfiton një të pestën e të ardhurave të ekonomisë dhe paguan gati një të tretën e taksave federale”? Përgjigjja qëndron në atë term të paqartë “1% më e pasur”. Ata që kanë të ardhurat më të larta dhe ata që kanë pasuritë më të mëdha nuk janë gjithmonë të njëjtët njerëz.
1% më e pasur e të ardhurave, biznesmenë, avokatë, mjekë dhe të tjerë me paga të larta, paguan me të vërtetë më shumë taksa mbi të ardhurat. Por kjo nuk thotë asgjë për 1% më të pasurit, të cilët mund të rregullojnë çështjet e tyre financiare në mënyrë që ligjërisht të mos paguajnë asgjë.
Kjo nuk është vetëm teorike. Edhe pse detyrimi i taksave për individët mbrohet zakonisht nga rregulla të rrepta të privatësisë, një rrjedhje e të dhënave nga departamenti tatimor atje (IRS) zbuloi se shumë nga amerikanët më të pasur, përfshirë Jeff Bezos, Elon Musk dhe Michael Bloomberg, kanë arritur të paguajnë pak ose asnjë taksë mbi të ardhurat në disa vite. Ata nuk thyejnë ligjin për këtë. Ata thjesht përdorin taktikat e njohura të shmangies së taksave: shmangin pagat, shmangin shitjet dhe trashëgojnë pasuri.
Shmangia e pagave
Paga përbën pjesën më të taksuar të të ardhurave, sepse në SHBA ajo taksohet edhe mbi të ardhurat personale edhe mbi kontributet e sigurimeve shoqërore. Prandaj, hapi i parë për shmangien e taksave nga të pasurit është të shmangin pagat tradicionale.
Bezos vendos rregullisht një pagë dhe bonus prej rreth 80.000 dollarësh, mjaftueshëm për të përfituar kreditin për fëmijë.
Mark Zuckerberg dhe të tjerë quhen “dollar-a-year men”, duke marrë vetëm 1 dollar në vit.
Ata mund ta lejojnë këtë sepse kompensimi i tyre real vjen nga rritja e vlerës së aksioneve. Për shembull, pasuria e Zuckerberg që nga 2020 është rritur rreth 170 miliard dollarë, dhe pasuria e Musk mbi 800 miliard dollarë. Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje nuk është pagë apo fitim i realizuar, prandaj nuk figuron në deklaratat e tyre të taksave.
Shmangia e shitjeve
Disa mund të mendojnë se këto fitime do të taksohen kur aksionet shiten. Por nuk ka siguri që shitjet të ndodhin ndonjëherë. Duke përdorur aksionet si kolateral për kredi, të pasurit mund të përdorin para për jetesë luksoze pa krijuar ngarkesë tatimore dhe pa humbur kontrollin mbi bizneset e tyre. Për më tepër, trashëgimtarët mund të bëjnë të njëjtën gjë, prandaj pasuria mund të kalojë brezave pa paguar asnjë taksë mbi të ardhurat.
Trashëgimia
Rreth një e treta e listës Forbes 400 të amerikanëve më të pasur e arrijnë këtë status përmes trashëgimisë. Por edhe kjo zakonisht nuk shfaqet në deklaratat e taksave, sepse paratë e marra si dhuratë, trashëgimi apo sigurim jete janë të përjashtuara nga përkufizimi i të ardhurave sipas ligjit amerikan. Pra, dikush që merr 100 miliard dollarë në këtë mënyrë duket në deklaratë sikur nuk ka marrë asgjë.
Këto përjashtime supozojnë se tatimi mbi pasurinë dhe dhuratat do të kryejë punën e nevojshme. Por për shkak të një fushate shumëvjeçare nga familjet më të pasura për të kundërshtuar tatimin mbi pasurinë, ligjvënësit nuk kanë bërë mirëmbajtjen më të thjeshtë për të mbajtur ligjet në funksion. Në fakt, Kongresi nuk ka mbyllur ndonjë “vrimë ligjore” që nga viti 1990. Rezultati: tatimi mbi pasurinë ekziston vetëm në emër, duke mbrojtur të pasurit dhe duke sjellë vetëm rreth gjysmën e një përqindje të të ardhurave federale.
A do të ndryshonte diçka reale në buxhet nëse taksat mbi të pasurit do të rriteshin?
Sipas The Economist, mund të duket se “nuk ka mjaft të pasur për të financuar shtetet e mirëqenies nga ata”. Por shifrat tregojnë ndryshe: në 2025, qeveria federale mblodhi 5.2 trilion dollarë nga të gjitha burimet dhe shpenzoi rreth 7 trilion, duke krijuar një boshllëk prej 1.8 trilion dollarësh që u shtua në borxhin kombëtar. Ndërkohë, pasuria e 1% më të pasurve ishte 55 trilion dollarë. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj pasurie përbëhet nga fitime investimesh dhe trashëgimi që nuk janë tatuar kurrë.
Nëse fitimet do të tatoheshin sa herë që pronat transferohen (p.sh. me shitje, dhuratë ose vdekje), si në Kanada, dhe trashëgimia të përfshihej në sistemin e taksave mbi të ardhurat, kjo mund të ndihmonte shumë në mbulimin e boshllëkut prej 1.8 trilion dollarësh.
Përveç të ardhurave, reforma është e nevojshme edhe për arsye demokratike. Si thotë The Economist: “Taksat e gjera nuk mbledhin vetëm më shumë para; ato janë gjithashtu më të shëndetshme politikisht.” Një sistem tatimor që trajton qytetarët më të pasur si “Aristokraci” nuk është i keq vetëm për buxhetin publik, është i keq edhe për demokracinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje