Mendim

Në Tiranë, engjëll në shtëpinë e djallit, mes flakëve të ferrit, nuk bëhesh dot

Nga Gazeta ‘Si’ – Ndërsa flakët vazhdonin të përhapeshin dhe dhjetëra banorë u evakuuan, në mediat vendase dominonin titujt për ndërtuesin e pallatit që po digjej dhe pronarin e kompanisë “Arlis”, Armand Lilo.

Ndërkohë që qytetarë, edhe ato që ishin të papërfshirë në ngjarje, prisnin që të informoheshin nëse kishte të lënduar apo dhe se çfarë po ndodhte në kompleks, media të caktuara nuk e kishin këtë merak dhe çdo informacion të nevojshëm e raportonin si një lajm periferik përballë akuzave mbi biznesmenin Lilo.

Lilo ka qenë dhe më herët target i mediave për shkak të lejeve të ndërtimit në Tiranë, por edhe për shkak të lidhjeve me aktorë politikë, njësoj si edhe disa konkurrentë të tij, që e kanë zgjeruar aktivitetin e tij edhe në fushën e medias.

Përballë këtij fakti, kufiri mes informimit dhe interesit bëhet i paqartë, sidomos kur aktorët kryesorë janë konkurrentë dhe ngjarjet në kurriz të qytetarëve mund të kthehen në mjet presioni apo keqinformimi.

Me rastin e djeshëm, mediat tentuan të devijojnë vëmendjen nga siguria e qytetarëve tek luftërat e padukshme ekonomike.

Ndoshta lajmet rreth aktivitetit të dyshimtë të Lilos nuk janë të pavërteta por, të publikuara në kontekstin e një ngjarje që vë në pikëpyetje sigurinë e njerëzve, ngrihen dyshime se ato nuk burojnë nga interesi publik, por nga konfliktet e interesit.

Siguria dhe cilësia e jetës së banorëve, që në pak minuta rrezikuan gjithçka dhe humbën investimin e një jete, janë një lajm shumë më i rëndësishëm sesa lajmit kush e ndërtoi atë pallat.

Të paktën në orët e para të ngjarjes, të gjitha kamerat duhej të ishin drejtuar drejt hallit të qytetarëve…


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë