Rend dhe Ligj

Kapen 4 celularë në qelitë e burgut të Durrësit dhe Rrogozhinës

Gazeta Si – Pas një kontrolli të befasishëm në burgun e Durrësit në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje, janë gjetur tre celularë të tipit ‘’Iphone’’ plotësisht funksionalë.

Sipas njoftimit zyrtar, njëri prej tyre u gjet në qelinë e të paraburgosurit me inicialet B.G., ndërsa dy të tjerët së bashku me një palë kufje u konstatuan në ambientet e burgut, por ende nuk dihet se kujt i përkasin.

Menjëherë pas gjetjeve, u bë veçimi i të paraburgosurit, u hartua raporti i incidentit dhe u mbajt procesverbali për bllokimin e sendeve të ndaluara.

Një ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se goditi një rast tjetër të tentativës për futjen e sendeve të ndaluara në burgun e Rrogozhinës.

Një celular i është gjetur shtetases B.D., e cila kishte ardhur për t’i bërë një vizitë bashkëshortit të saj, të dënuarin F.D. Menjëherë pasi është konstatuar sendi i palejuar në ambientet e IEVP, është anuluar takimi.

Drejtoria e Burgjeve bën me dije se aksione të tilla do të vijojnë për kapjen e sendeve të paligjshme që të burgosurit mund të kenë futur në qelitë e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë