Gazeta Si – Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ka nisur një hetim pas një videoje të publikuar nga gazetari Flamur Vezaj, ku disa të burgosur festonin në qeli dhe mbanin telefona, pinin alkool dhe lëndë të dyshuar kanabis.
Me anë të një deklarate, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofon se personat e shfaqur në video, të cilët dyshohet se ndodhen në paraburgimin e Durrësit, janë identifikuar dhe rezulton se një pjesë e tyre janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026.
“Personat e shfaqur në video janë identifikuar nga strukturat tona dhe rezulton se një pjesë e tyre janë liruar ose transferuar përpara muajit janar 2026”.
Sipas deklaratës, menjëherë pas qarkullimit të videos ka nisur një hetim, ku përfshin të gjithë personat e identifikuar, si dhe verifikimin e plotë të zinxhirit komandues në IEVP Durrës, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive në çdo nivel.
“Menjëherë pas qarkullimit të videos është njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve dhe kanë nisur procedurat për hetim të plotë. Hetimi përfshin të gjithë personat e identifikuar në video, si dhe verifikimin e plotë të zinxhirit komandues në IEVP Durrës, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive në çdo nivel. Paralelisht, strukturat e IEVP Durrës vijojnë kontrollet intensive me qëllim identifikimin e plotë të përgjegjësive dhe fillimin e çështjeve penale për personat e përfshirë”, thuhet në deklaratë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shprehet se gjatë kontrolleve në IEVP Durrës janë kapur në flagrancë dhe sekuestruar tre telefona celularë dhe poseduesit e këtyre pajisjeve janë ndër personat e identifikuar në video.
Po ashtu bëhet me dije se, ndaj tyre janë marrë masa të menjëhershme, duke u kaluar në veçim dhe duke u proceduar penalisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje