Drejtësia

Kërcënoi me shpërthimin e një bombe në Rinas, SPAK mbyll hetimet për rusin

Gazeta Si – SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen ndaj 44-vjeçarit rus, Vladislav Urban, i akuzuar për kërcënimin e shpërthimit të një bombe në aeroportin e Rinasit. Urban është marrë i pandehur në mungesë për “kanosje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.

Sipas SPAK, në shkurt 2023, rusi ka dërguar një mail në adresën e Shefit Operacional të Rinasit, ku kërcënonte me shpërthimin e një bombe nëse qeveria shqiptare nuk njeh Kosovën si pjesë të Serbisë, si edhe pretendonte te kishte marrë peng 2 shqiptarë.

Hetimi zbuloi se dërguesi ishte Vladislav Urban, i lindur në Moskë, Rusi dhe banues në Selanik, Greqi. Përmes bashkëpunimit me homologët grekë, autoritetet mësuan se 44-vjeçari jetonte i vetëm në adresën e deklaruar në e-mail, vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe nga verifikimet e kryera, nuk rezultonte të mbante peng ndonjë person.

Një muaj përpara e-mailit për Rinasin, Urban dyshohet se kishte dërguar mesazhe të ngjashme në aeroportin e Athinës dhe në një spital në Greqi, ku kërcënonte se do të vriste qytetarë grekë. Sipas hetimit, 44-vjeçari nuk ka asnjë hyrje-dalje në territorin shqiptar.

Për drejtësinë shqiptare, Vladislav Urban ka një masë sigurie “arrest në burg”, të dhënë në mungesë, ndërsa pritet vijimi i procesit gjyqësor ndaj tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë