Politike

Mandati i Sinajt në Kushtetuese / PS dhe PD dakordësohen që çështja të votohet në seancë plenare

Nga Gazeta ‘Si’- Këshilli i Mandateve diskutoi sot mandatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj ku mazhoranca dhe opozita u dakordësuan që raportet e dy partive politike të votohen në seancën e parë plenare për këtë vit.

PD pretendon se Vullnet Sinaj ka përfituar tendera publikë për kompanitë e tij private edhe pse Kushtetuta e ndalon deputetin të përfitojë nga paratë publike. Për këtë arsye, opozita kërkon që Parlamenti të votojë pro dërgimit në Gjykatën Kushtetuese dhe gjykata të vendosë nëse ai e ka shkelur apo jo Kushtetutën.

“Raporti i mazhorancës ende nuk na është bërë me dije, siç kolegët e mi përballë kanë raportin e opozitës. Kjo mbledhje vendosi që relatorët të përcillnin raportet. Ne sot na vjen raporti i mazhorancës. Ky këshill është vonuar 2 muaj si vullnet i qartë i kolegëve të mazhorancës për të zvarritur këtë procedurë. Raportin tonë e keni në dispozicion prej më shumë se 1 muaj”, theksoi kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

“Kompanitë në pronësi të zotit Sina kanë përfituar të ardhura nga buxheti i shtetit. Mjafton që të ketë përfituar 1 lek nga paratë e taksapaguesve shqiptar që të jetë në kushtet papajtueshmërisë sipas nenit 70 të Kushtetutë. Kërkojmë që mocioni të përfshihet në rendin e ditës në seancën e para plenare të Kuvendit dhe dërgimin menjëherë në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimin e mandatit të deputetit Vullnet Sinaj. Kërkoj të votohet në seancën e ditës së hënë”, tha Bardhi.

Por deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka propozoi seancën e parë plenare, pra jo seancën e së hënës, një seancë e cila ka karakter ceremonial.

“Shumica në këtë këshill, rekomandon që t’i kalojë seancës plenare për votim projektvendimi për dërgim e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimin e mandatit të deputetit Vullnet Sinaj”, u shpreh Bushka.

Propozimi hasi kundërshtim nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi.

“Konferenca e kryetarëve duhet të ishte mbledhur, s’ka asnjë pengesë për të ndryshuar rendin e ditës, boll kemi pushuar nga data 19 dhjetor deri në 20. Duhet të ketë seancë të enjten ardhshme dhe nuk ka asnjë pengesë për të pasur seancë të enjten e ardhshme. Raportet duhet të paraqiten. Kemi bërë gati raportet janë gati për votim në çështjen plenare. Të votohet në seancën e parë plenare”, tha Bardhi.

Këshilli u dakordësua që “raportet të votohen në seancën e parë plenare”. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë