Politike

“Mund të ndërhyjë ILD?”/ Diskutime në Komisionin “Xhafaj”, Kryeinspektori Metani: Nuk varet vetëm nga ne

Ngërçi i krijuar mes avokatëve dhe GJKKO-së u bë pjesë e diskutimeve të sotme në  Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale

Gjatë diskutimit me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, kryetari Fatmir Xhafaj ngriti shqetësimin për pasojat që situata po sjell në zhvillimin e proceseve gjyqësore, duke e pyetur nëse ILD mund të ndërhyjë për të ndihmuar në tejkalimin e ngërçit.

“Sot kemi një ngërç të krijuar në GJKKO, Shkalla e Parë. Ka një mosmarrëveshje të hapur publike mes avokatëve dhe GJKKO-së. Ka një mundësi, përpjekje, ndërhyrje nga ana e Inspektorit për ta zgjidhur, se në finale ajo që e pëson është sistemi, dhënia e drejtësisë dhe qytetarët drejtpërdrejt”, tha Xhafaj.

Ai pyeti Metanin nëse, brenda kompetencave që i jep ligji, ILD mund të ndërhyjë “për të gjetur një zgjidhje të ligjshme, të drejtë, që ky ngërç të tejkalohet”.

Ndërkohë Metani u përgjigj duke thënë se për të qenë strikt ligjorë, me kompetencat që ILD-së, së pari do të degjeneronte apo do të shkonte drejt një shkeljeje të natyrës disiplinore.

“Së dyti, ajo që thatë është më shumë pjesë e një tryeze mes palëve që kanë këtë diskutim dhe kjo shkon përtej kompetencave që ka ILD, por edhe ka më tepër lidhje me karakteret njerëzore sesa me diskutimet ligjore që mund të bëhen midis palëve. Si institucion do të ishim të gatshëm të ndihmonim për aq sa mund të ndihmonim, por nuk është një gjë që varet vetëm nga dëshira e Inspektorit të ILD-së”.

Ndërsa Xhafaj vijoi më tej duke thënë se ka një pozicion nga ku mund të ndërhyjë Inspektori, se aty cenohet një parim shumë i rëndësishëm, që është procesi i rregullt ligjor.

“Ka dhe një pasojë të drejtpërdrejtë, që është zgjatja e proceseve gjyqësore dhe, nga ky këndvështrim, mund të ndërhyjë Inspektori. Unë nuk e vë në diskutim aktin. Ne të gjithë bashkë na shqetëson ngërçi i krijuar, efekti që ai sjell. Se cila është zgjidhja u takon palëve, se ata nuk janë individë, por institucione. Do të ishte e arsyeshme një ndërhyrje. Flasim për balancat dhe kontrollin reciprok dhe, në këtë aspekt, ILD ka një rol të rëndësishëm për ta ruajtur këtë balance”.

Fjalën e Xhafaj, Inspektori i lartë e cilësoi si një këndvështrim personal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë