Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin se para pak ditësh qeveria amerikane ka njoftuar se ka përzgjedhur Shqipërinë për një financim të madh në fushën e energjisë.
Rama e ka pohuar këtë teksa u përgjigjej në rrjetet sociale qytetarëve, të cilët shpreheshin se “Rama veç arab ka mbet… Pse nuk biznese me Evropë e Amerikë?”, duke thënë më tej se qeveria shqiptare s’ka interes për thithjen e investimeve nga Perëndimi.
Duke zgjedhur t’u përgjigjet në në rubrikën “Sy m’Sy”, Rama ka hedhur poshtë këto aludime, duke thënë se investitorët e huaj që vijnë kryesisht nga Evropa dhe Amerika bëjnë investime me vlerë mbi 1 miliardë euro gjatë 1 viti në Shqipëri.
“Sa u ktheva dhe po lexoja komentet tuaja, “Rama ka mbetur vetëm me arabë, pse nuk bën biznes në Evropë dhe Amerikë”, komenton Simoni, “Ta kthej unë përgjigjen”, i thotë Fatosi, “se nuk duan vëlla, nuk kanë interes”. Tani nuk e di se për kë e ka që nuk ka interes për ne apo Evropën dhe Amerikën, siç pyet Simoni, por për këdo që ta ketë, nuk ka diçka më larg të vërtetës duke filluar që nga marrëveshja e sotme, ku isha mes arabëve dhe italianëve dhe Italia është në Evropë. Tani, e dini sa biznes bëjnë investitorët e huaj në Shqipëri në 1 vit? Investime të reja, mbi 1 miliardë Euro. Dhe e dini se nga vijnë? Nga Evropa, Amerika, shumica dërrmuese. Po ne qeveria sa e sa projekte bëjmë ne me financime të huaja? Thuajse të gjitha vijnë nga Evropa dhe para pak ditësh, qeveria amerikane, na njoftoi se e ka përzgjedhur Shqipërinë për një financim të madh në fushën e energjisë që janë fondet e qeverisë amerikane. Kjo është e vërteta”, shprehet Kryeministri Rama.
Këtë të mërkurë në Emiratet e Bashkuara Arabe, u nënshkrua marrëveshja e investimit për lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri, ndërmjet, qeverisë së Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Republikës së Italisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.