Politike

Votimi nga jashtë / Mbi 12 mijë emigrantë të regjistruar në 72 orë, më shumë meshkuj se femra. Kryeson Italia e Greqia

Nga Gazeta ‘Si’ – Ndërsa janë bërë 72 orë që nga nisja e regjistrimit të emigrantëve në zgjedhjet e 11 majit, të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë se deri tani janë bërë 12 571 aplikime.

Nga aplikimet e bëra, 1 863 kërkesa janë miratuar ndërsa 10 321 janë ende nën shqyrtim. Ndërkohë, sipas të dhënave të KQZ, janë refuzuar 289 aplikime.

Siç shihet nga tabelat, në aplikime dominojnë me 69.9% burrat (përkatësisht 8 789 kërkesa në total) ndërsa femrat me 30.1% (3 782 kërkesa).

Ndërsa sipas grupmoshave, kërkesat më të mëdha janë bërë nga 26-35 vjeçarët me 31.2% (3 917) ndjekur nga grupmosha  36-45 vjeç me 27.4% (3.450 kërkesa).

Në seksionin e KQZ ku paraqiten kërkesat sipas bashkive, vihet re që aplikimet më të mëdha janë në bashkinë Tiranë me 19.6%, e cila ndiqet nga bashkia e Fierit me 8.6%, nga ajo e Durrësit me 5.2% dhe Shkodra me 4.2%.

Tre bashkitë me për qindjet më të vogla të aplikimeve janë ajo e Pustecit, Finiqit dhe Dropullit, përkatësisht me 0.1% secila.

Ndërsa sipas shteteve, kërkesat më të mëdha janë bërë nga Italia dhe Greqia me 29.9% dhe 19.9%, dy shtetet ku ka edhe më shumë shqiptarë.

(Në një mbledhje me drejtuesit politikë, kreu i PS Edi Rama lajmëroi më herët se në momentin e nisjes së regjistrimit të emigrantëve, do të dërgonte si në Itali ashtu edhe në Greqi disa drejtues politikë).

Gjithashtu vihet re një rritje kërkesash edhe nga Gjermania, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

Në seksionin e KQZ që tregon për regjistrimet sipas shteteve, bien në sy edhe kërkesa nga shtete si: Afganistani, Angola, Kuvajti, Filipinet, Zambia, Guadalupe apo Zelanda e Re.

Megjithatë, kërkesat në këto shtete kanë qenë minimaliste, tipikisht nga një aplikim. Aplikimet mbyllen në datën 12 mars 2025.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë