Politike

Fushata para kohe / Rama e Berisha zbresin në terren. Kryeministri në Shkodër e Elbasan, Kryetari i PD në Berat e Pogradec

Nga Gazeta ‘Si’- Edhe pse fushata zyrtare për zgjedhjet e 11 majit është ende larg, si kryeministri Edi Rama ashtu edhe kreu i PD Sali Berisha, kanë nisur takimet me simpatizantët në qytete të ndryshme. 

Ndërsa sot po qëndron në Elbasan, ku nënshkroi marrëveshjen për rijetëzimin e kalasë së qytetit, një ditë më herët (10 janar) kryeministri Edi Rama vizitoi qytetin e Shkodrës.

Rama vizitoi disa nga projektet që janë në punim e sipër në Shkodër. Sëbashku me kryebashkiakun Benet Beci ai pa nga afër punimet në zonën historike të Zdrales e cila do të kthehet në një pedonale, tregun e Rusit, tashmë të përfunduar, si dhe investimet në shkolla për terrene sportive dhe rikonstruktimin e poliklinikës së specialiteteve.

Gjatë vizitës nuk munguan as batutat me qytetarët në zonë, një prej të cilëve e ftoi Ramën për kafe, por ky i fundit u shpreh se duhet bërë puna më parë.

‘A ta bëjmë punën një herë pastaj kafen, a të keqen vëllai?’, u përgjigj Rama. 

Sakaq, edhe kreu i PD ka vijuar takimet e tij me demokratët sa në Berat, aq edhe në Pogradec. 

Dje në Berat duke bërë një rezyme të zhvillimeve politike përgjatë 3 dekadave të fundit, Berisha theksoi se ‘PD ia doli të jetë surpriza e vërtetë e revolucioneve demokratike të viteve ’90’. Ai tha se PD është në startin e fuqishëm drejt fitores.

Ndërsa sot, nga Pogradeci Berisha tha se ky qytet ndodhet sipas tij para një agresioni të identitetit të tij. 

“Këta banorë nga Lini në Tushemisht, në breza dhe gjenerata, me punën, mundin, investimet e tyre, i janë përshtatur liqenit dhe kanë krijuar një harmoni. Kanë krijuar një harmoni, të themi natyrore, njerëzore.

Dhe ky zhvillim i harmonishëm ka sjell Pogradecin në majat e trashëgimisë së njerëzimit, ka bërë që liqeni dhe brigjet të jenë një pasuri e njerëzimit. Nuk ka titull më të lartë. Ky është titulli më suprem. Kjo është dekorata më e lartë që qytetarët e një qyteti dhe mjedisi i tyre që mund të marrin.

Ky është titulli më atraktiv që ky qytet i bekuar mund të tërheqë nga e gjithë bota”, tha ai ndërsa shtoi se pogradecarët nga gjithë banorët e tjerë të brigjeve dhe zonave turistike, kanë qenë shërbëtorët më të mirë të trashëgimisë së tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë