Dosje

Përgjimet nga Belgjika për 3.4 milionë eurot në dosjen ‘Toyota Yaris’ zbuluan kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka

Gazeta Si - Përdorimi i disa kodeve të aplikacionit “Sky Ecc” dhe përpjekjet për të pushuar një hetim, dyshohet se janë arsyet e arrestimit të drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka një ditë më parë.

Sipas burimeve paraprake nga SPAK, Zarka ka dyshime se ka pasur në përdorim të paktën disa telefona të enkriptuar “Sky Ecc”.

Kanë qenë hetuesit belg, të cilët gjatë zbërthimit të komunikimve, kanë zbuluar se Zarka ka ndërhyrë në lehtësimin e pozitave për një person të përfshirë në një nga fraksionet e dosjes “Toyota Yaris”.

Gjithnjë sipas burimeve, në ndihmë të Zarkës ka ardhur në ndihmë ish-oficerja e Policisë Gjyqësore, Erjona Daupaj, e cila vijon të jetë në kërkim bashkë me avokatët Radovan Çela dhe Astrit Vladi.

Transkriptet mbi njerëzit e drejtësisë, janë sjellë përmes letër-porosisë nga autoritetet belge, të cilët kanë kërkuar identifikimin e personazheve të përfshirë për të mbyllur çështjen.

Avokati Çela dyshohet se shfaqet duke komunikuar me të afërmit e Vladit dhe ka dalë në përgjime duke përmendur se si ishin kryer pagesa për të mbyllur dosjen "Toyota Yaris".

Në këtë komunikim, përmendet edhe kryeprokurori i Vlorës, i cili ka dyshime se kishte hyrë si garant për shkak të njohjes pranë grupit të hetimit të ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda asokohe.

Në fakt, Astrit Vladi, rezulton kushëri i Ervis Vladit i dënuar për 3.4 mln eurot të gjetura në makinën "Toyota Yaris" të gjetura në dy mjete në portin e Durrësit dhe të ardhura nga Belgjika, si të dyshuara me burime kriminale.

Edhe pse nuk ka ende një njoftim zyrtar nga SPAK, dyshohet se akuzat që rëndojnë mbi këta shtetas janë ato të “korrupsionit” dhe “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërkohë që akoma nuk dihet çështja penale për të cilën janë vënë nën akuzë.

Çështja e “Toyota Yaris” nisi fillimisht në Durrës, pas kapjes brenda në makinë të 3.4 milionë eurove dhe më pas u transferua për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke u orientuar hetimi për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Paralelisht me Krimet e Rënda në Belgjikë, prokurori Julien Moinil nisi një hetim për të zbuluar fijet e personave shqiptarë dhe belgë që ishin përfshirë në transferimin me kamionë nga Belgjika në Shqipëri të 3.4 milion eurove.

Në muajin shkurt 2022, Moinil mbërriti në Shqipëri për të marrë dëshminë e ish-kreut të PD, Lulzim Basha, si personi që foli i pari për këtë çështje, duke paralajmëruar në Parlament se në Shqipëri po futeshin nga krimi i organizuar me mbështetjen e Taulant Ballës 3.4 milionë euro.

Por teksa në Shqipëri hetimet u zbehën, rasti në Belgjikë u konsiderua shumë serioz, duke bërë që për këtë çështje së fundmi të hapen dhe verifikohen kodet e aplikacionit “Sky” në Belgjikë.

Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet të mërkurën për të pezulluar nga detyra kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë