Drejtësia

Shfryhet çështja ‘Toyota Yaris’, poseduesi dënohet me 1 vit burg për milionat e eurove

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg Ervis Vladin, i akuzuar për “mosdeklarim të ardhurash në kufi”, pasi u kap me 3.4 milionë euro të fshehura brenda makinave “Toyota Yaris”.

Vladi ka përfituar gjykim të shkurtuar, që do të thotë se do të përfitojë uljen e 1/3 të dënimit, duke u dënuar vetëm me një vit.

Në të njëjtën dosje, u dënua edhe Agim Çeka për “armëmbajtje pa leje” me 2 vjet 4 muaj. Paratë u gjetën në vitin 2018 të fshehura brenda makinave “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit të ardhura nga Belgjika.

Nga hetimet rezultoi se automjetet ishin porositur nga kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi. Katër të arrestuarit në Shqipëri kanë qenë Edi Lika, Klevi Lika, Agim Ceka dhe Alban Mollaymeri, por pas hetimeve ata u liruan.

Fillimisht, hetimet nisën nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila arrestoi dhe nxori masa sigurie për 6 persona si të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.

Por edhe pse u hetuan për disa muaj, prokuroria shpalli moskompetencë dhe e kaloi dosjen në prokurorinë e kryeqytetit, e cila vlerësoi se nuk qëndronte akuza e mosdeklarimit të të hollave në kufij për të gjithë personat.

Në fakt, çështja u përdor si një 'kalë beteje' nga opozita shqiptare në Parlament për të akuzuar ashpër kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Por i rrezikuar për t'u marrë i pandehur si dekonspirues i operacionit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u paraqit më datë 25 korrik 2019 për të dhënë shpjegime përpara prokurorit.

Ai bëri një denoncim gjatë një fjalimi në Kuvend, dy ditë para se të bllokoheshin në portin e Durrësit automjetet që vinin nga Belgjika, në të cilat ishte fshehur shuma prej 3.4 milionë eurosh.

Taulant Balla e paditi Bashën për shpifje, lidhur me deklaratat që ky i fundit bëri në Kuvend se shuma e 3.4 milionë eurove e zbuluar ne dy makinat ‘Toyota Yaris’ i përkiste kreut te grupit socialist. Kryedemokrati u dënua nga gjykata me 50 mijë lekë gjobë për shpifje ndaj  Ballës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë