Gazeta Si – Vëllezërit Isa Aliu (në foto lart) dhe Salvadore (Shpëtim) Aliu, të cilët janë shpallur në kërkim nga SPAK, dyshohet të jenë “kokat” e grupit ndoshta më të madh të strukturuar kriminal shqiptar në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Ekuadori në Europës dhe pastrimin e parave.
Sipas të dhënave paraprake nga dosja hetimor, në qendër të grupit që është quajtur jozyrtarisht “Perandoria Aliu”, qëndron Salvatore Aliu, i identifikuar si organizator, financues dhe furnizues i ngarkesave me kokainë në tregjet ndërkombëtare.
Hetimet e SPAK dhe referimet e policisë, tregojnë se aktiviteti i grupit shtrihej në disa shtete dhe përfshinte lidhje familjare, ku vëllai i tij, Isa Aliu, dyshohet se luante rol kyç në pastrimin e parave në Shqipëri.
Sipas dosjes hetimore, Isa Aliu nga Elbasani, dyshohet se ka luajtur rol kyç në qarkullimin dhe investimin e të ardhurave kriminale, përmes disa bizneseve në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.
Hetimet e SPAK të nisura në vitin 2020 kanë zbuluar një nga skemat më të mëdha të dyshuara të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimit të parave, ku dyshohet se janë përfshirë dhjetëra persona dhe qindra pasuri me vlerë qindra miliona euro.
Sipas dosjes hetimore, anëtarët e grupit dyshohet se kanë përdorur metoda të ndryshme për fshehjen e shumave të mëdha të parave cash.
Burime pranë SPAK, konfirmuan se në një bisedë të gushtit 2020 mes vëllezërve Isa Aliu dhe Shpëtim Aliu, i pari i thotë se ka në gjendje 6 milionë euro cash.
Disa ditë më vonë, Shpëtim Aliu i bën me dije se do të ketë në vijim edhe 20 milionë të tjera, ndërsa e orienton për mënyra të fshehjes së parave, përfshirë groposjen e tyre, të futura në fuçi 50-litroshe.
SPAK ka ngritur dyshime se Isa Aliu ka marrë të paktën 30 milionë euro nga vëllai i tij Shpëtim Aliu, i njohur edhe si Salvadore, të cilat i ka investuar në fushën e ndërtimit
Hetimet përmendin gjithashtu komunikime të koduara, të zbuluara përmes platformës “Sky ECC”, të cilat kanë ndihmuar në dokumentimin e lëvizjes së parave dhe koordinimin e investimeve.
Gjithnjë sipas burimeve, emra të tjerë të njohur, që nga Çopjat, te Eldi Dizdari apo Dritan Gjika, ishin nën varësinë e tij, duke u shndërruar në një “bos të bosëve”.
SPAK njoftoi të martën se kishte siguruar 10 urdhër-arreste, mes të cilëve për vëllezërit Shpëtim dhe Isa Aliu, Dritan Gjika (i arrestuar në Abu Dhabi) dhe Eldi Dizdari (i arrestuar në Dubai).
Ata akuzohen se janë përfshirë në trafikimin e 50 tonëve kokainë, ndërsa janë dokumentuar 5 episode me 8.9 ton në total.
Policia mundi të arrestojë vetëm të dyshuarin Florian Musaj, i cili u la në burg sot nga GJKKO. Dy të tjerë po kërkohen brenda vendit, ndërsa 7 të tjerë rezultojnë të jenë jashtë Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje