Gazeta Si - Pasuritë e disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të policisë të arrestuar muajt e fundit nga SPAK, do të verifikohen nga prokurorët e posaçëm pas përgjimeve në aplikacionin "Sky ECC" të zbërthyera nga autoritetet policore franceze dhe belge.
Sipas burimeve paraprake, hetim pasuror po kryhet ndaj Oltrion Bistrit, ish-drejtor i Forcave Operacionale, si dhe ish-nën drejtorit të Policisë Erzen Breçani të arrestuar pak ditë më parë.
Po kështu po verifikohet edhe pasuria ish-shefit të Policisë së Kurbinit Dritan Metaj, ku u shpall sërish në kërkim Gëzim Çela, një ish-oficer policie i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.
LEXO EDHE:
- 'Flakë në det' / Sekuestrohen 11 pasuri të tre trafikantëve në Luginën e Patokut, gomone, makina e para
- PROFIL/ Erzen Breçani ‘polici partiak’ që u bë biznesmen dhe lidhja me politikën
Në verifikim do të kalojë edhe pasuria e ish-shefit të Krimeve në komisiariatit nr.6 në Tiranë, Dedan Gjoni. Hetim pasuror po kryhet edhe ndaj ish shefit i krimeve kundër personit ne Shkodër, Ardit Hasanbega.
Në 4 hetime të ndara gjatë 2 viteve të fundit, SPAK gjeti lidhje të forta mes botës së krimit dhe elementëve të caktuar në Policinë e Shtetit.
8 policë dhe ish-policë, u arrestuan me dyshimet se kanë luajtur rol aktiv në ndihmën e dhënë për anëtarë të grupeve kriminale që u goditën në Shkodër, Elbasan, Tiranë dhe Fushë Kuqe që prej pranverës së 2022.
Lidhjet që u gjetën nga komunikimet e ç'kodifikuara të botës së krimit në aplikacionin "SKY', por edhe vetë efektivëve të policisë, shkonin përtej shpërdorimit të detyrës.
Në Shkodër, shefi i sektorit të vrasjeve, Ardit Hasanbegaj, u kap në biseda që siguronte informacione për atentate të menduara nga personazhe të botës së krimit duke përdorur detyrën e tij.
Të njëjtën gjë u konstatua të bënte edhe shefi seksionit të hetimit të krimit në Komisariatin nr. 6 në Tiranë, Dedan Gjoni.
Drejtori i Forcave Operacionale, Oltion Bistri, gjithashtu rezultoi se kishte përdorur detyrën për të favorizuar biznesmenin Pëllumb Gjoka. Nga ana tjetër shefi i komisariatit Kurbin, Dritan Metaj u arrestua me dyshimet se ndihmonte Gëzim Çelajn, një personazh i njohur i botës së krimit.
I penduari i drejtësisë tregoi se si Leonard Palushi, shef i hetimit të krimit në Policinë e Elbasanit, devijoi hetimet për një vrasje me kërkesë të Erion Alibejt dhe tashmë është dënuar për korrupsion.
Në hetim janë edhe dy ish-policët, Erzen Breçani dhe Arlind Ismailukaj, për pastrim parash, përkrahje të autorit të krimit dhe trafik narkotikësh.
Po kështu, SPAK ka vënë në sitë edhe pasuritë e disa zyrtarëve të tjerë të Policisë së Shtetit dhe policisë lokale, të cilët shfaqen në komunikimet e aplikacionit “SKY ECC”.
Për këta të fundit janë përcjellë letërporosi, për të marrë të dhëna shtesë që pritet t’i vijnë në ndihmë hetuesve.
Që prej marrjes së detyrës si ministër i Brendshëm, Taulant Balla ka paralajmëruar nevojën e pastrimit të Policisë së Shtetit nga rastet e shpërdorimit të detyrës dhe lidhjeve të dyshuara me grupet kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.