Drejtësia

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Gëzim Çelës, trafikanti që policia nuk po e gjen prej 10 vitesh

Nga Gazeta 'Si'-Gëzim Çela prej 2014 është kthyer në një nga emrat e botës së narkotrafikut, për kapjen e të cilit policia ka dështuar vazhdimisht. Në aksionet dhjetë vjeçare policia ka dështuar haptazi dhe kjo nuk lidhet aspak me aftësinë e të shumë kërkurit, dikur oficer policie, por siç bëjnë me dije burimet e Gazetasi.al, me lidhjet e tij  të forta duke nisur që në Mamurras por edhe në qendër për të mos u prangosur.

I sapo kthyer nga Turqia në atë kohë ( 2012), mbasi vuajti dënimin për drogë, 54 vjeçari u lirua nga gjykata shqiptare për shkaqe shëndetësore. Kur u zbulua se në të vërtetë ish-oficeri nuk kishte asnjë sëmundje dhe policia shkoi në banesën e tij në Mamurras ai nuk u gjet më , duke “avulluar” për vite të tëra. Emri i të dyshuarit si trafikant rrallë është përmendur edhe në listat e publikuara vazhdimisht nga policia e cila nuk disponon asnjë informacion se përse nuk janë kryer aksione për kapjen e tij. Gjykata e lartë rrëzoi sakaq rekursin e 53 vjeçarit ku kundërshtohej një vendim i gjykatës së apelit për krimet e rënda, viti 2015 atëherë kur ende ishte në fuqi gjykata speciale që u zëvendësua me gjykatën e posaçme antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar.

Gjykata thotë:

Gëzim Çela, Realt Hysolli u konsideruan në atë kohë pjesë e një grupi kriminal të narkotrafikut ku bënte pjesë edhe shqiptaro-amerikania Valentina Tufa(Tufina), e ngarkuar me detyrë për të përgatitur kokainën dhe njëherazi “e ‘dërguara’ e furnizuesit të lëndës narkotike, shtetas me origjinë shqiptare (kosovare) i paidentifikuar”. Megjithatë hetimi i asaj kohe provoi se i dyshuari ishte rezident në SHBA.

Valentina Tufa

Dhe se ishte “përgjegjës” për furnizimin me këtë lloj lënde narkotike, njëkohësisht të “tregjeve”, shqiptare dhe kosovare, si dhe pjesëtarët e “degëzimit” kosovar të kësaj veprimtarie (ku ishte vendosur edhe “laboratori” i përpunimit të kësaj lënde, në fshatin Rosujë, Komuna Deçan, Pejë Kosovë). Dy të tjerët që u arrestuan në atë kohë në Kosovë, Vehbi dhe Veim Berisha, u aktivizuan për të transportuar ngarkesën 7 kg nga fshati ku po prodhohej kokainë ( fshati Rosujë)  drejt Shqipërisë, aty ky trafikanti shqiptar Gëzim Çela ishte kontaktuar si blerës dhe si shitës. I dyshuari tjetër që po përdorej si korrier dhe që u kap në Morinë u identifikua si Erald Hysolli , që kishte si detyrë dorëzimin e pakove në Fushë Kuqe , Mamurras , aty ku ka banesën 53 vjeçari i shumë kërkuar.

Në fashikullin e zbardhur nga Gjykata e Lartë përmendet “ Nga përmbajtja e bisedave telefonike të zhvilluara (të përgjuara), respektivisht, midis pjesëtarëve të “organizmës”, të pandehurit Çela, me të pandehurën (në një procedim të lidhur) Tufina, me personin e paidentifikuar furnizues dhe drejtues i kësaj veprimtarie, me të pandehurin Hysolli, korrieri i transportimit të lëndës, midis të pandehurës Tufina dhe personit të paidentifikuar, të “prezantuar” (nga përmbajtja e telefonatave) në pozicionin e drejtuesit të “veprimtarisë”, midis të pandehurës Tufina dhe korrierit, të pandehurit Hysolli, “vëzhgimet” e realizuara, prej policisë gjyqësore të shtetit shqiptar dhe atij kosovar (të aktivuar mbi bazën e letër porosisë të dërguar prej Prokurorisë pranë Gjykatës për Krime të Rënda, rezultatet e kontrolleve të ushtruara, pas arrestimit në flagrancë të të pandehurit Hysolli (prej policisë së shtetit shqiptar) dhe të pandehurës Tufina (njëkohësisht prej policisë gjyqësore të shtetit kosovar) në territorin e shtetit të Kosovës, në banesat e ndodhura në Rrugën e “Muzakajve”, pallati “Katër Grykët” Tiranë dhe në Fushë-Kuqe Kurbin të referuara me cilësinë e vendbanimeve të të pandehurit Gëzim Çela dhe në fshatin Rosujë (Komuna Deçan) Kosovë, ka rezultuar, dërgimi, nga “baza” e përpunimit të lëndës narkotike të llojit kokainë  (“laboratori” i “administruar” prej të pandehurës Tufina), të ndodhur në fshatin Rosujë Deçan Kosovë, i një sasie lënde narkotike të llojit kokainë (për momentin, sasia e lëndës narkotike dhe mënyra e dërgimit të saj, mbeten të panjohura) tek i pandehuri Çela, e cila nuk ka rezultuar me cilësinë e duhur.”

I dyshuari Çela klasifikohet si pjesë e veprimtarisë së shpërndarjes por njëherazi edhe si vendimmarrës duke qenë se sapo ka konsideruar se kokaina nuk ishte e cilësisë së kërkuar ai ka lëshuar urdhëra.

“Pra sipas skemës klasike të funksionimit mbasi ka konstatuar personalisht, por edhe mbi bazën e kontestimeve të ‘blerësve’, cilësinë e ‘papranueshme’ të ‘mallit’ (të ardhur nga Kosova) ka insistuar pranë ‘furnizuesit’ (personit të paidentifikuar) për kthimin dhe zëvendësimin e tij me ekuivalentin, por me cilësi tjetër, të përmirësuar” – thuhet në dosje.

Përmes këtyre bisedave kuptohet se përfundimisht palët kanë vendosur dorëzimin e  sasisë së lëndës narkotike, me cilësi të keqe, në bazën e përpunimit në fshatin Rosujë Kosovë, dhe zëvendësimi i saj, në sasinë prej 7.113 gr (lëndë narkotike e llojit kokainë) me cilësi më të mirë, të pranueshme prej blerësve të kontaktuar prej të pandehurit Çela.

Një kimiste shqiptaro amerikane

Për të bërë të mundur transportimin e saj (lëndës narkotike), pasi sasia e kërkuar është përgatitur prej ekspertes (kimiste), Valentina Tufina , është dërguar në Kosovë, korrieri Hysolli, i cili pasi e ka ngarkuar sasinë e sipërpërmendur të lëndës narkotike, të llojit kokainë, të ndarë në 14 pako, e ka fshehur në autoveturën e drejtuar prej tij, të markës Mercedes-Benz. Më herët në laboratorin e Rosujës, Deçan, ishte dërguar nga Shqipëria  Valentina Tufa që përgatiti për dy ditë sasinë e kërkuar të kokainës së pastër.

“Nga kontrolli i banesës së ndodhur në fshatin Fushë-Kuqe (Kurbin), të të pandehurit Çela, ku është arrestuar dhe i pandehuri (tjetër, në një procedim të lidhur) Kujtim Çela, janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale 207 kg e 360 gram lëndë narkotike e llojit cannabis sattiva 22 kg e 323,6 gram lëndë pluhur me ngjyrë bezhë, e cila sipas aktit të ekzaminimit kimik të saj ka rezultuar, në sasinë prej 5 kg (pjesa tjetër rezultoi me cilësinë e përzierësit) me cilësinë e lëndës narkotike të llojit heroinë, 500 gram lëndë narkotike e llojit kokainë, 22 bidona me peshë nga 25 kg secili, me përmbajtje “aceton”, pajisje metalike që shërben për presimin dhe paketimin e lëndës narkotike, peshore elektronike, 13 armë zjarri, armë sportive, dylbi, dy granata dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh, aparate të telefonisë mobile, qese për paketimin e lëndës narkotike” .

Sendet e tjera si një sasi prej 143 mijë euro, armë beretta apo 11 orë u gjetën në banesën e dytë të tij në kryeqytet. Megjithëse Gjykata e shkallës së parë në Tiranë e dënoi Gëzim Çelën me 9 vjet burgim për trafik por duke u kujdesur ta cilësonte pa rol dominant. Nga ana tjetër shkalla e parë për krimet e rënda e shpalli të pafajshëm për armën që u gjet në banesën e dytë të tij mbasi veprat nuk provohen ,tha Gjykata e krimeve të rënda të asaj kohe. Megjithatë apeli për krimet e rënda ndonëse kujtoi se Çela kishte rol dominant në trafikun transnacional rëndoi pozitat e të dyshuarit duke kujtuar se në banesën e tij u gjet edhe hashash edhe armatim.

“Në kundërshtim me konkluzionet e gjykatës së faktit, e cila ka “shkarkuar” të pandehurin Çela, prej përgjegjësisë penale, lidhur me episodet  Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, konsideron të verifikuar faktin penal në ngarkim të të pandehurit Çela në sekuestrimin pranë banesës së ndodhur në Fushë-Kuqe Kurbin për sasinë prej 207 kg cannabis sattiva, të armëve dhe të municioneve të sekuestruara në këtë banesë.

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, ndryshe nga sa pranohet prej gjykatës së faktit (në vendimin e saj) konsideron të verifikuar, aktivimin kriminal të të pandehurit Çela në kryerjen e veprave penale të sipërcituara, në kushtet e verifikimit të përdorimit, prej këtij të fundit, të banesës së ndodhur në fshatin Fushë Kuqe të dy kateve të sipërme të saj (por edhe të ambienteve të tjera të saj, të oborrit, bodrumit) me cilësinë e “bazës”, në funksion të mbështetjes së këtij “aktiviteti” (kriminal).

Argumentet e përdorura prej gjykatës së faktit për të “larguar” të pandehurin Çela, “shkëputur”, këtë të fundit, prej “disponimit” të saj (banesës), nëpërmjet “përcaktimit” të vendbanimit (të përhershëm) të tij, në qytetin e Tiranës, në zonën Don Bosko ku banonte bashkë me familjen, në të kundërt, mbështesin, konkluzionin e kësaj gjykate, sipas të cilit banesa e ndodhur në fshatin Fushë-Kuqe, së bashku me “materialin” e sekuestruar prej policisë gjyqësore, në të, verifikohen në disponibilitet të plotë të të pandehurit Çela, në funksion të mbështetjes së aktivitetit kriminal të ushtruar prej tij. Jo rastësisht pozicionimi i kësaj “baze” mbështetëse të aktivitetit kriminal të të pandehurit Çela verifikohet në atë zonë fshati, Fushë-Kuqe larg “vëmendjes”, “interesimit”, dhe “ekspozimit”, karakteristike për zonat e populluara. Jo rastësisht në këtë “bazë”, fshati Fushë-Kuqe, përveç “materialit” të sipërpërmendur të sekuestruara, u verifikua prezenca (e anashkaluar prej përmbajtjes së vendimit të Gjykatës për Krime të Rënda), e “kushteve laboratorike” të përpunimit të lëndës narkotike të të gjitha llojeve, sikurse në banesën fshati Rosujë Deçan.

"Jam pa shtëpi"

Duke këmbëngulur se i ati ishte i apasionuar pas armëve , Çela hodhi poshtë përgjegjësinë për gjithçka u gjet në banesën në Fushëkuqe. Argumenti ishte vetëm një, fakti që ai nuk ishte pronar i banesës private dhe për këtë arsye bashkëngjiti shkresa të ndryshme që vërtetonin pronësinë e banesës nga i ati, i cili ka ndërruar jetë. Të njëjtën tezë e përdori edhe për shtëpinë në kryeqytet, që zotërohej nga partnerja dhe fëmijët, dhe që sipas 53 vjeçarit ai i takonte rrallë pasi ishte ndarë. Duke kujtuar se në apartamentin në Don Bosko ishte gjetur edhe një kasafortë, fjalëkalimin e të cilit e dinte e shoqja, i dyshuari tha përmes avokatëve se nëse do kishte qenë ai pronar i shtëpisë, gruaja nuk kishte si ta dinte passwordin.

“Një detaj shumë i rëndësishëm që provon argumentet e mësipërm është fakti se gjatë kontrollit në apartamentin e Rrugës “Don Bosko” është gjetur dhe sekuestruar një kasafortë metalike me kod, të cilën policia e ka marrë dhe e ka hapur më vonë në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë. Sipas procesverbalit të hapjes dhe kontrollit të kësaj kasaforte, rezulton se ajo është hapur në prani të ish-bashkëshortes së të mbrojturit prej meje, pas dhënies së kodit të kasafortës nga ana e saj. Nëse ajo kasafortë do ishte e të mbrojturit prej meje, kodin e hapjes së saj nuk mund ta dinte asnjë person tjetër dhe kasaforta do qe hapur nëpërmjet shpërthimit apo prerjes me troko. Ky është një argument bindës që sendet e gjetura në të nuk i përkasin Gëzim Çelës.

Por fantazia e përfaqësuesit të organit të akuzës arrin deri në atë shkallë sa paratë e gjetura në kasafortën e ish gruas së tij, përpiqet t’i argumentojë si parapagim për lëndën narkotike që do vinte nga Kosova. Se me çfarë e provon këtë aludim të fantazisë së tij, përpiqet ta argumentojë me marrëdhëniet e mira që ka pasur i mbrojturi prej meje me ish-gruan e tij.

A thua se jetojmë në kohën e mesjetës dhe i mbrojturi prej meje për shkak të ndarjes duhet të mohojë dhe të mos takohet me fëmijët e tij. Të argumentosh në këtë mënyrë, më e pakta që mund të themi nuk është korrekte dhe më e shumta është argumentim dashakeq. Kjo për faktin se eksperienca ka treguar se trafikantët e drogës nuk bëjnë parapagim për vlera të papërfillshme dhe jo më për vlera të konsiderueshme.

Sipas akuzës qenka normale që i mbrojturi prej meje t’i besojë ish gruas së tij të ndarë prej mbi shtatë vjet një vlerë të tillë. Mos vallë kishte marrë ndonjë parapagim droge edhe me ora e bizhuteritë që u sekuestruan aty? Pse përfaqësuesi i akuzës nuk e pranon që kjo shumë lekësh është pjesa e pa paguar e vlerës së dyqanit të blerë e që përdoret si minimarket nga ish gruaja e tij, apo si vlerë e akumuluar për të bërë furnizimin e minimarketit. Natyrisht kuptohet që këto argumente nuk i interesojnë organit të akuzës, pasi në të kundërt duhet të kishte kërkuar kthimin e tyre personit që i përkasin” pyeti avokati i tij duke bërë mbrojtjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë