Menaxhim

Ndryshimi i kodit rrugor, Gonxhe: Do të vendosen ligje për përdorimin e skuterave

Gazeta Si - Në Komisionin për veprimtaritë prodhuese, tregtinë dhe mjedisin janë miratuar disa ndryshime në Kodin rrugor.

Një nga ndryshimet që u miratua ishte afati për shoferët që drejtojnë mjete me motor.

Blendi Gonxhe, drejtori i DPSHTRR tha se shoferët 60-vjeçare janë shoferët që kanë statistikat më të ulëta përsa i përket aksidenteve dhe për këtë shkak, u miratua shtyrja e afatit në 70 vjeç. Thënë kjo, patenta do jetë e vlefshme për personat deri në 70 vjeç.

Gonxhe gjithashtu propozoi që trajnimi për dhënien e ndihmës së shpejtë të bëhet pranë çdo autoshkolle.

“Të ketë një bashkëpunim me Kryqin e Kuq që në çdo autoshkollë të bëhet kursi i ndihmës së shpejtë”, tha Gonxhe i cili shtoi se do të jetë një ndryshim për mirë pasi kështu mund të shmangen “mashtrimet” që bëhen duke mos marrë pjesë në kurs.

Gjithashtu, të gjithë qytetarët shqiptarë me banim jashtë shtetit ose të huajve që kalojnë nëpër Shqipëri me automjetet, motomjetet dhe rimorkiot e importuara përkohësisht ose të reja nga fabrika të blera për eksportim, u lëshohet një leje qarkullimi me një kohëzgjatje maksimale 30-ditore nga 15 ditë që është aktualisht.

Deputeti Lefter Gështenja propozoi që shpejtësia maksimale e qarkullimit në autostrada të jetë maksimumi 120 km/orë, ndryshe nga 130 km/orë që është.

Për shqetësimin e mbajtjes së jelekut nga personat që drejtojnë motomjetet u miratua ndryshimi që personat që drejtojnë motomjete, gjysmë ore pas perëndimit dhe gjysmë orë para lindjes së diellit, kur ka mjergull, borë dhe shira të fortë duhet të veshë jelek fluoreshent/fosforeshent ose veshje teknike speciale dhe nuk ka nevojë për jelek.

Ismet Beqiraj, anëtar i Komisionit tha se monopatinot janë bërë një problem i madh në vend dhe janë të shumta rastet që bëhen aksidente nga personat që i drejtojnë.

Gonxhe iu përgjigj duke thënë se ky shqetësim është adresuar në rregulloren e kodit rrugor dhe pas një studimi më të gjatë, do të vendosin për ndryshimet që do të kryhen, duke nisur nga shpejtësia, vendosja e kaskës dhe kufizimi i lëvizjes së tyre.

“Është mirë që njerëzit kanë filluar të përdorin monopatino sepse kjo ka liruar trafikun por duhen ndryshime në përdorimin e tyre. E vetmja gjë që nuk mund të bëjmë është që të kenë një leje drejtimi”.

Altin Qato, drejtori i policisë rrugore tha se ky problem ka nevojë për një diskutim më të gjerë.

“Kemi kapacitete policore për ti kontrolluar por nuk mund të bëjmë më shumë se sa këshillim”, tha Qato.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë