Gazeta Si – Mjekët dhe infermierët e Spitalit të Traumës kanë konfirmuar se trupi i Lear Kurtit ka mbërritur i pajetë mbrëmjen e 19 tetorit pas shoqërimit nga policia.
Lidhur me hetimet që po kryhen për vdekjen e 32-vjeçarit, prokuroria ka marrë dëshminë e 6 mjekëve dhe infermierëve, qëndrimi i të cilëve ka qenë i njëjtë edhe në kartelën mjekësore.
Në dëshminë e tyre, bluzat e bardha mësohet të jenë shprehur se i riu ka mbërritur i pajetë në spital .“I dhamë ndihmë, por nuk mbijetoi”, mësohet të kenë thënë ata në dëshminë e tyre.
LEXO EDHE:
– EKSKLUZIVE/ Vdekja e Lear Kurtit, dëshmitë e policëve: Dridhej, tentuam t’i hapim gojën…
– ‘Ika me vrap se kisha një boçe hashash’. Policët u ç’orientuan nga dëshmia e Lear Kurtit. Veprimet e patrullës, ku asnjë nuk e kuptoi atë që po ndodhte
Prokuroria po ashtu po ekzaminon pamjet e kamerave të sigurisë të Spitalit të Traumës.
Veprimet e organit të akuzës, synojnë të hedhin dritë mbi një pjesë tjetër të hetimit që lidhet me gjendjen në të cilën ka shkuar ai në spital dhe mbi veprimet e mjekëve.
Fillimisht, AMP deklaroi se i riu humbi jetën në spital, ndërsa mjekët e spitalit të Traumës në Tiranë, deklaruan se ai kishte mbërritur atje pa shenja jete.
Më herët, për vdekjen e Kurtit, në pyetje u morën 7 punonjësit e policisë të përfshirë me veprime në ndalimin e 32-vjeçarit, por edhe dëshmitarë në ambientet e Komisariatit nr 3.
Gjithashtu, janë tërhequr materialet pranë sallës operative dhe janë marrë dëshmitë e punonjësve të turnit, të cilat dokumentojnë thirrjet për patrulla ndihmëse dhe për ambulancën, bërë nga efektivët e policisë.
Vendimtare për konkluzionet e hetimeve mbeten përgjigjet përfundimtare të autopsisë për shkakun e vdekjes, ndërsa versioni zyrtar thotë se nuk ka pasur shenja dhune në trup.
Prokuroria po heton për akuzën e “veprimeve arbitrare” dhe “mosdhënie të ndihmës”, por nuk ka emra të regjistruar si të dyshuar deri më tani.
Lear Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e 19 tetorit në zonën e “Don Boskos”, pasi nuk iu bind urdhrit të forcave të policisë për ndalim dhe më pas u shoqërua në komisariat me furgon. Pak orë më vonë ai ndërroi jetë.
Prokuroria dhe AMP-ja konfirmuan se në stomakun e të riut u gjet një qese e vogël me lëndë narkotike.
Nga rezultatet paraprake të autopsisë rezultoi se substanca e gjetur në stomakun e të riut ishte lëndë narkotike e llojit kokainë.
I riu kishte arritur pak para se të kapej nga efektivët, të gëlltiste dy qese të vogla me një sasi kokaine brenda saj.
Qeset janë të përmasave 5×5, të ngjashme me ato qeset që përdoren në farmaci për medikamentet. Sipas ekspertizës, shkak i vdekjes të Kurtit është arrest kardiak i shkaktuar nga overdoza.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.