Ekskluzive

‘Ika me vrap se kisha një boçe hashash’. Policët u ç’orientuan nga dëshmia e Lear Kurtit. Veprimet e patrullës, ku asnjë nuk e kuptoi atë që po ndodhte

Gazeta Si - Dëshmitë e policëve që shoqëruan Lear Kurtin në spital, tregojnë itinerarin e asaj që ndodhi mbrëmjen e të mërkurës së shkuar në 19 tetor, ku për fat të keq i riu humbi jetën në rrethana të paqarta.

Njëri prej tyre që ishte mes të parëve që e mbërritën 32-vjeçarin, thotë se kur e ulën në një stol dhe polici e pyeti se përse iku me vrap, i dyshuari u përgjigj: “Ika se kisha një boçe hashash”.

Por kjo dëshmi e të ndjerit, duket se ishte thjesht tymnajë për t’i çorientuar ata.

Në fakt, nga dëshmia e policëve që ishin në shërbim atë natë, ata kontrolluan me elektrik dore të gjithë rrugën, por ndërkohë të dyshuarin e lanë me kolegët e tyre që sakaq ishin njoftuar në radio për një person të gjatë që po u largohej shërbimeve. 

Brenda, kur ai shfaqi konvulsionet dhe të dridhurat, që një polic në komisariat i kujton si të dridhura që nuk ndaleshin, policët të papërgatitur fillimisht dyshuan për epilepsi, ndaj njëri prej tyre bazuar në dijeninë që kishte për këtë sëmundje, i kishte lënë në dorë një shkop hekuri të ndjerit.

Një agjente e komisariatit, shpjegon gjithashtu se si policët kërkonin ndihmë, por çdo gjë sipas tyre ndodhi shumë shpejt.

Por polici që ishte shofer dhe që e transportoi të ndjerin drejt Traumës, sipas burimeve shumë të sigurta të Gazetasi.al, thotë në dëshminë e tij për këto hetime se si të gjithë për minuta të tëra bënë maksimumin t’i jepnin ndihmë dhe vrapuan me shpejtësi për në spital, pasi ambulanca po vonohej. Largimi ndodhi me dy mjete.

“Më tha shefi futu mbrapa dhe mbaji kokën në prehër. Ashtu bëra. Kolegut tim i thashë jepi ndonjë gjë hekuri në duar se duhet të jetë me epilepsi. Ndërsa gjatë rrugës mjetit të policisë iu ça goma më duket, por ne kemi vazhduar  në drejtim të spitalit pa ndaluar. Kur arritëm e kapëm bashkë me mjekët e spitalit për krahësh dhe e hipëm në barrelën e tyre që ishte me rrota dhe e morën mjekët”, - kujton polici, i cili teksa priste me ankth, pak më vonë u njoftua se shtetasi kishte ndërruar jetë.

30-vjeçari S.N., kujton se si duke thirrur për ndihmë e duke pritur autoambulancën, u përpoq t’i hapte gojën Learit.

Ishin ato pak çaste që i çorientuan të gjithë dhe teksa i shoqëruari përpëlitej, asnjë prej tyre nuk po e kuptonte nëse i dyshuari ishte epileptik apo çfarë po ndodhte. Këtë e thonë të gjithë.

“Kërkuam me anë të radios ndihmë për një ambulancë. Ambulanca nuk po vinte dhe unë mora përsëri sallën operative për të njoftuar ambulancën. Më duket se salla më ka thënë  që është nisur në drejtimin tuaj. Ndërkohë kolegët e nxorën nga automjeti shtetasin dhe e futën në korridor. Aty ai u shtri përtokë. Kolegët të gjithë së bashku u munduam t’i jepnim ndihmë, duke i hapur gojën që mos të kalonte gjuhën poshtë. Pasi ambulanca nuk po vinte  dhe personi nuk po përmirësohej vendosëm që ta fusnim në makinë të policisë dhe ta dërgonim  në spitalin e Traumës, mbasi ai ishte më I afërti”.

Polici që ka dhënë dëshminë, sipas burimeve ekskluzive, pranë Agjencisë së mbikëqyrjes, është njëri ndër 10 policë që dhanë dëshminë  e tyre dje që u pyetën nga inspektorë të ndryshëm të AMP-së.

“E kemi futur Lear Kurtin në makinë me drejtues policin M.G., dhe  polic A.T., A.K., dhe E.S., ndërsa unë dhe një polic tjetër i ndoqëm me makinën e policisë, derisa në spital e mori personeli mjekësor”, iu thotë inspektorëve të AMP polici.

Polici kujton se i riu kur pa policinë nisi lëvizjet e dyshimta duke futur duart në xhepa.

Bëhet me dije për Gazetasi.al se inspektorët e AMP-së kanë kryer verifikime dhe në sallën operative për të kuptuar se çfarë u raportua në sallë prej policëve dhe nëse u kërkua apo jo ndërhyrje mjekësore.

“Kam dëgjuar në radio shërbimin 5… i cili kërkoi ndihmë. Pasi kam dëgjuar kërkesën për ndihmë kam komunikuar me komandanten dhe i thashë shërbimit 53/20, që të afrohej në ndihmë të shërbimit tjetër. Komunikova me policin D.H., nëse kishin shkuar efektivët e tjerë”.

Polici, i cili ndoqi veprimet e patrullës në radio kur ata ndërkohë po ndiqnin të dyshuarin që vrapoi dhe u largua prej tyre, kujton se çfarë ndodhi disa minuta më vonë.

“Në vijim të punës mbërriti ndihmës specialistja e informacionit që më tha se shef kanë sjellë një person, i cili ka probleme duket si i pirë apo i droguar”.

Polici i informacionit këmbëngul se zbriti me urgjencë, duke dalë jashtë ambienteve të komisariatit, ku dhe ka parë një person të shtrirë.

“Vura re që ky person kryente lëvizje që ishin si kontraktime, policët ishin pranë tij, duke i dhënë ndihmë, duke i dhënë ujë e duke i ruajtur kokën që të mos e përplaste. Ata po përpiqeshin t’i hapnin gojën me qëllim që t’i nxirrnin gjuhën”, mësohet të ketë deklaruar efektivi.

Kjo dëshmi e tij përputhet sipas inspektorëve që preferuan të flasin në anonimitet për Gazetasi.al me pamjet e sigurisë të komisariatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë