Ka ndodhur

Tiranë, 32-vjeçari i ndaluar nga policia shfaq probleme shëndetësore në Komisariat dhe vdes në spital

Gazeta Si - Një 32-vjeçar, Laer Kurti, i cili u ndalua mbrëmjen e të mërkurës nga policia për një kontroll, ka ndërruar jetë krejt papritur në Spitalin e Traumës.

Policia tha se mbrëmjen e djeshme (19 Tetor), rreth orës 23:07 në rrugën “Riza Cuka”, një patrullë e përgjithshme e policisë së Tiranës i bëri thirrje një qytetari për të ndaluar për kontrollin e dokumenteve të identifikimit.

Sipas policisë, 32-vjeçari nuk zbatoi urdhrin e autoriteteve për një verifikim dhe u largua me vrap në rrugën "Don Bosko" pranë një marketi.

Patrulla u vendos në ndjekje të tij dhe e ndaloi të riun në rrugën “Don Bosko” për ta shoqëruar më pas në komisariatin nr. 3.

Sapo ka mbërritur në komisariat, 32-vjeçari shfaqi probleme shëndetësore të rënduara dhe u shoqërua me mjetet e policisë në Spitalin e Traumës ku ndërroi jetë.

Momenti i ndalimit është i fiksuar në kamerat e sigurisë. Sipas burimeve paraprake, pas prangosjes, i ndaluari ka qëndruar në një stol derisa ka mbërritur makina që e shoqëroi.

Në momentet e pritjes aty kanë kaluar dhe shokë të tij që kanë komunikuar me policinë për arsyen e ndalimit.

Gjatë rrugës për në komisariat, ai ka shfaqur probleme shëndetësore (dridhje dhe nxjerrje sekrecionesh).

Pas mbërritjes në komisariat, ku po ashtu ka kamera, duke parë që gjendja mund të rëndohej deri në mbërritje të ambulancës, është transportuar nga vetë policia në Spitalin e Traumës, ku ka mbërritur me puls të dobët dhe pas disa minutash ka ndërruar jetë.

Lear Kurti jetonte tek ish-parku i autobusëve në kryeqytet. Burime jozyrtare thanë se ndaj tij, ka pasur episode të tjerë të ndalimit në polici për lëndë narkotike.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka ngritur menjëherë një grup hetimor për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Ekzaminimet mjeko-ligjore do të përcaktojnë edhe shkakun e vdekjes së mistershme, që do të qartësohet në një njoftim përfundimtar për shtyp nga AMP.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë