Ekskluzive

EKSKLUZIVE/ Vdekja e Lear Kurtit, dëshmitë e policëve: Dridhej, tentuam t’i hapim gojën…

Gazeta Si- Policët kanë deklaruar para AMP se ndoqën protokollin ligjor duke i thënë të riut Leart Kurtit “Mirmbrëma policia e shtetit. Keni mjet identifikimi me vete”. I riu sipas dëshmitarëve iu është përgjigjur “jo” dhe kur policët e kanë ripyetur nëse kishte sende të kundraligjshme, 32-vjeçari nisi vrapin. Gazetasi.al ju cituan dëshmi ekskluzive të policëve nga burime shumë të sigurta të AMP që ka sekuestruar kamera sigurie dhe çdo dëshmi. Madje edhe të dhënat paraprake të mjekësisë ligjore ku katër mjekë me iniciale A.H, A.K, E.C dhe E.R konfirmojnë që qesja në trupin e viktimës kishte prani kokaine. Analiza gc/mc sipas mjekëve ligjorë nuk mund të caktojë përqindjen e kokainës, por zyrtare është që trupi i viktimës sipas morgut kishte kokainë. Mjekët ligjorë shprehen për Gazetasi.al se si rezultat i vrapit kokaina e gëlltitur ka rritur frekuencën kardiake që më pas ka rritur presionin e gjakut dhe ka shkaktuar komplikacionet si aritmi, hemorragji cerebrale dhe miokardi. Sakaq policët këmbëngulin se nuk vërejtën në asnjë moment çastin kur i shoqëruari i tyre gëlltiti qesen me kokainë. Ata madje e kanë mësuar identitetin e të riut shumë me vonesë. Policët të pyetur veç e veç kanë treguar dinamikën dhe çastet e fundit të 32-vjeçarit, se si e pyetën ‘a je banor i kësaj lagjeje’, se si i thirrën ‘ndalo policia’ dhe se asnjëri prej tyre nuk ka ushtruar dhunë, sipas tyre.

“Kur po vazhdonim patrullimin në rrugën “Riza Cuka”, konstatuam një shtetas të moshës rreth 30 vjeç, i dobët dhe me tatuazhe, i cili po ecte në rrugë dhe bëri disa lëvizje të dyshimta që më dhanë shkas për ta verifikuar”, thotë  D.H me detyrë oficer policie në patrullë prej janarit të 2022.

“Meqë ishte në krahun tim e pyeta nëse kishte ndonjë mjet identifikimi”, vazhdon dëshminë oficeri sipas asaj që citojnë ekskluzivisht burimet pranë AMP të Gazetasi.al. Polici thotë se sapo ka dalë nga makina, shtetasi është larguar me vrap.

Pas rreth 2 minutash, shton efektivi, ai arriti ta ndalojë të riun në afërsi të një marketi.

“Pasi e kam bllokuar, jemi rrëzuar të dy së bashku përtokë dhe në këtë moment u afruan edhe dy kolegët”. Policët deklarojnë se e ngritën në këmbë të riun dhe ndërkohë kanë kërkuar ndihmën e patrullave. Kur policët e vendosën të ulet në një trotuar, njëri prej tyre ka vërejtur se 32-vjeçari kishte vështirësi në frymëmarrje.

“Kam komunikuar me drejtorinë vendore dhe ju kam kërkuar një autoambulancë dhe për tu ndier më mirë e kemi vendosur në makinë, jo në makinën që kisha në shërbim por në makinën tjetër. Aty ai u bë më mirë”.

Policët kujtojnë se ata u kthyen për të kontrolluar nëse kishte hedhur apo jo sende të kundraligjshme, kurse patrulla e dytë e dërgoi Kurtin në komisariat.

“E pyeta çfarë hodhe në rrugë sepse ky shtetas më tha që kishte hashash dhe që e kishte hedhur. Ky person më kërkoi arsyen pse e kisha ndaluar. Pasi erdhëm në komisariat ky shtetas u kap tek sedilja e makinës dhe nuk pranonte të dilte”, thuhet më tej para AMP nga efektivët.

“E nxorrëm nga makina me vështirësi dhe në këtë moment filloi të dridhej dhe të shtrëngonte dhëmbët. U munduam menjëherë t’i jepnim ndihmë duke u munduar t’i hapnim gojën. I mbajtëm kokën pas që të mos godiste pllakat pasi po bënte lëvizje të pakontrolluara. Kolegët e mi njoftuan autoambulancën dhe duke parë gjendjen e tij, e futëm në automjet policie dhe e dërguam në spitalin e traumës”, thotë polici.

Kur AMP e pyet për identitetin e të riut, policia deklaron se e mësoi emrin nga AMP dhe se nuk e dinte identitetin e të dyshuarit.

Polici tjetër kujton se kur arritën tek i riu që e ndoqën me vrap, ai po mbushej me frymë me vështirësi.

“I thamë qetësohu dhe në këtë moment u afruan patrullat me kod 20 dhe 22. Në këtë moment kolegu tjetër i vendosi prangat dhe ne kontrolluam rrugën për sende të paligjshme që nuk i gjetëm”, thotë edhe polici tjetër. I riu sipas tyre po fërkonte gjoksin dhe po i varej koka. Këto simptoma policët i kuptuan në komisariat.

“E ulëm me qëllim që të qetësohej tek dera e komisariatit dhe gjendja e tij shfaqi si shenja epilepsie. I vura në dorë një shkop hekuri me qëllim zbutjen e shenjave të epliepsisë. Gjatë rrugës për në spital më pas ai pati dhe dy herë dridhje dhe kur arritëm në spital e morën doktorët dhe e futën në urgjencë”.

Pas 20 minutash nga ky moment policët mësuan nga mjekët se 32-vjeçari ndërroi jetë.

Policët kujtojnë se si në castin që shoqëruan Laer Kurtin në rrugën “Don bosko” u afrua një mjet Reno me ngjyrë të kuqe.

“Drejtuesi i automjetit filloi të bërtiste duke thënë “Çfarë keni me atë se është shoku im, kush jeni ju që merrni shokun tim?”. E shoqëruam këtë person dhe mësova në komisariat se quhej Z.S dhe kur u afrova në komisariat vura re se policët e patrullës po kërkonin ndihmë sepse shtetasi Lear Kurti ishte shtrirë dhe kishte vështirësi në frymëmarrje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë