Gazeta Si – Në një kohë kur nuk ka asnjë gjurmë nga atentatorët e masakrës në Fushë Krujë, vijon të mbetet i dyshimtë zjarri i rënë në makinën e viktimave.
Grupi hetimit po pret përgjigje nga ekspertiza lidhur me shkakun e djegies së automjetit, ku udhëtonin Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha.
Fillimisht u dyshua se zjarri që shkrumboi brenda 2 prej të rinjve, erdhi për shkak të breshërisë së plumbave në motorin e makinës “Volkswagen Passat”.
Por nga ajo që mund të shihet të paktën në foto, flakët fillimisht kanë rënë në pjesën e brendshme të kabinës.
Një gjë e tillë nuk përjashton mundësinë që autorët të kenë përdorur dhe lëndë plasëse pas ekzekutimit të trefishtë.
LEXO EDHE:
– Atentati në Fushë-Krujë, njëri nga viktimat telefonoi familjen kur kuptoi se po ndiqeshin
– Dosjet ku përmendej Brilant Martinaj, krimi i trefishtë në Fushë-Krujë dyshohet se u urdhërua për hakmarrje
– Një ‘komando’ në masakrën e Fushë Krujës? Asnjë plumb jashtë objektivit, viktimat u ndoqën që nga Rinasi
Siç shikohet, në pjesën e përparme të makinës, kryesisht në zonën e kofanos ka të paktën 7 gjurmë plumbash.
Ndërkohë, tre ditë nga atentati mafioz në mbikalimin e Fushë-Krujës, policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve.
Burime pranë grupit hetimor, bëjnë me dije se është kërkuar marrja në pyetje e disa personave, emra të njohur për autoritetet.
Përmes deklarimeve të tyre hetuesit kërkojnë të kuptojnë nëse kanë dijeni për vrasjen e 3-fishtë mesditën e së dielës.
Më herët, policia ka shoqëruar dhjetëra persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe ka ofruar 30 milionë lekë të vjetra shpërblim për këdo që jep informacion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.