Ekskluzive

Dosjet ku përmendej Brilant Martinaj, krimi i trefishtë në Fushë-Krujë dyshohet se u urdhërua për hakmarrje

Gazeta Si - Atentati i trefishtë tipik mafioz, që i mori jetën tre të rinjve, Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Arber Hoxha, po hetohet për vrasje në rrethana cilësuese kundër dy apo më shumë personave në kuadër të grupit kriminal.

Sipas policisë së Durrësit, që mbulon territorin e vendit ku u qëlluan me tre automatikë tre të rinjtë nga Fushë Kuqja, të dhënat paraprake flasin për një krim të mirë organizuar.

LEXO EDHE:
Tre të vdekur në një atentat makinës në ecje në Fushë-Krujë, autorët djegin makinën 5 kilometra më larg

Pista e atentatit për hakmarrje, është më e forta deri tani, pasi 23-vjeçari Martinaj, dyshohet si ekzekutor i efektivit të FNSH-së, Xhuliano Prela dhe ish-policit Xhelal Reçi. Por asnjë nga krimet nuk është provuar.

“Ndonëse në pamje të parë ngjan se objektivi i atentatit ishte i riu Brilant Martinaj, realisht vrasësit kanë qenë të vendosur t’i eliminonin që të tre, pasi viktimat kishin lidhje të ngushta shoqërore”, - tha njëri nga ekspertët për Gazetasi.al.

Por pavarësisht kësaj deklarate, Gazetasi.al u interesua pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të evidentuar kartelën kriminale të secilit, ku me rekorde rezultojnë sipas burimeve vetëm Brilant Martinaj dhe Diklen Vata, kurse i treti del i paskeduar.

“Është një krim që ka mllef dhe urrejtje brenda, jo vetëm për dinamikën se si ata qëlluan me tre armë, por edhe se si më pas ata e ndoqën njërin prej tyre, duke e eliminuar me breshëri gjatë tentativës që ai t’u shpëtonte”, - shtoi eksperti i policisë për Gazetasi.al.

Për hetuesit, me shumë rëndësi vlen këqyrja e automjetit që u gjet i djegur, pak çaste pas atentatit mafioz, ku u rrezikua jeta e shumë qytetarëve të tjerë për sa kohë vendi i zgjedhur nga vrasësit është një nga akset kryesore në Shqipëri.

Me një shpërblim prej 3 milionë lekësh (të reja) dhe një numër telefoni të vendosur në dispozicion të qytetareve që mund të japin informacion për vrasësit, departamenti i hetimit të Krimeve të Rënda shpreson se do të mund të shkojë tek atentatorët, por kjo është një shpresë e vakët dhe pa asnjë perspektivë.

Të rinjtë po udhëtonin me automjetin “Passat”, kur nga një makinë tjetër, me targa të vjedhura dhe po ashtu edhe mjet i vjedhur, në urën e Fushë Krujës, vrasësit shtinë me breshëri derisa u shkrumbua nga flakët.

Vetëm njëri prej tyre, Vata u përpoq t’u shpëtojë vrasësve, por ai vrapoi vetëm pak metra, pasi ndaj tij nuk pati stepje, edhe ai u qëllua me breshëri.

Vrasja e Xhelal Reçit

Emri i Brilant Martinajt, qarkulloi në korridoret e policisë, por pa u provuar nëse kishte apo jo vërtet gisht në këtë ngjarje pas eliminimit të Xhelal Reçit.

Gazetasi.al disponon dosjen hetimore mbi këtë krim, që i mori jetën ish-policit 60-vjeçar.

Ai u qëllua me armë zjarri teksa ishte duke larë ambientin përpara “Grand Moda”, në çastin kur vrasësit afrohen me makinë dhe prej aty zbresin dy persona.

Njëri afrohet më shumë, duke e qëlluar me armë zjarri. Ky atentat u regjistrua në lagjen numër 3 të qytetit të Laçit, thotë për Gazetasi.al, pokuroria lokale.

Ndërkohë, që sipas çështjes ende nën hetim, në vendngjarje policia administroi në atë kohë një fishek model 56 dhe një predhë, si ato të fishekëve që qitet nga arma tip pitoletë.

Dhjetë minuta, pas atentatit ndaj ish-policit që njihet si krushk i Endrit Dokles, një tjetër ish-eksponent I krimit në Shqipëri (i dënuar dhe më pas i liruar), policia  u njoftua për një mjet tip “Toyota” që i ishte vënë flaka dhe që më pas nga hetimet u kuptua se ishte denoncuar si i vjedhur një shtetaseje me inicialet A.B., nga fshati Mbrostar, Fier.

Në kartelat e policisë, fillimisht u raportua se i ndjeri dhe i biri, B.R., kishin pasur më herët një konflikt që kishte precipituar në plagosje ndaj shtetasit R.R.

Por sakaq, policia mblodhi të dhëna përmes të cilave shtoi në historikun e viktimës, se i biri i ish-policit, kishte plagosur me armë zjarri djalin e Faik Martinajt nga Fushë Kuqja.

I ndjeri, nga ana e tij kishte kallëzuar në gushti 2020 pranë Policisë së Lezhës se ishte ndjekur nga disa persona dhe është kanosur, por në 11 nëntor 2020, sipas burimeve të Gazetasi.al, ish-polici dorëzoi një kallëzim edhe ndaj ish-policisë, pasi nuk ishte marrë parasysh ankesa e tij.

Por prokuroria e mbylli çështjen, duke deklaruar se nuk rezultoi e provuar që viktima të kishte bërë denoncim për incidentin dhe ndaj në mënyrë skandaloze u vendos në atë kohë mosfillimi i çështjes.

Pas vrasjes së ish-policit, mes dhjetëra shtëpive të kontrolluara, ishte edhe ajo e Faik Martinajt, si dhe e Ervis Martinajt.

Sipas policisë, në atë kohë pati një shtetas të dyshuar nga Lazarati që ishte shfaqur në Laç, por që nuk u gjet asnjë e dhënë që do ta implikonte atë, duke qenë se ai kishte ardhur në këtë qytet për të drekuar me një të njohur.

Por një nga emrat që u përmend në atë kohë, është pikërisht edhe Brilant Martinaj, i cili sakaq nuk ishte risi, pasi një tjetër atentat ende nën hetim i mori jetën një efektivi dhe ku sërish roli i policisë mbetet i dyshimtë për mënyrën se si i kreu veprimet hetimore.

Xhulio Prela

Ai u vra në moshën 26-vjeçare. Ai ishte punonjës i policisë së Shkodrës, por përpara se të emërohej në këtë pozicion si pjesë e FNSH-së, në mënyrë të pasqaruar dhe të pa hetuar, polici Xhulio Prela u lëviz nga detyra nga qyteti i Lezhës, ku dhe kishte pasur një incident për shkak të shoqërimeve të kryera në këtë zonë.

Nga zbardhja e itinerarit, policia deklaroi në atë kohë se viktima udhëtoi në mesnatë për të pritur kushëririn e tij, Pjetër Gavoçi, i cili po vinte nga Anglia dhe ishte me banim në Stjakë.

Polici udhëtoi drejt fshatit të të afërmit për ta lënë atë në shtëpi dhe rrugës së kthimit ai u qëllua me armë zjarri në rrugën inter-urbane Milot-Lezhë, në vendin e quajtur Gajush.

Sipas hetimit të treguar Gazetasi.al, në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja dhe siç tregojnë kamerat e sigurisë, Xhuliano devijoi nga rruga dhe pranë tij ndalon një makinë tjetër, ku prej andej shfaqet një person i paidentifikuar me një mjet ndriçues në dorë, duke e qëlluar policin me armë.

Vrasësit largohen me shpejtësi në drejtim të Lezhës dhe pas sekuestrimit të dhjetëra kamerave të sigurisë, policia arrin të gjejë një sekuencë filmike në zonën e Grykë Lumit.

Veprimet hetimore, vërtetuan se makina i përkiste një banori nga fshati Cudhi, i cili e kishte lënë makinën për ta rregulluar në servisin e një personi nga Kruja, - thanë burimet e Gazetasi.al.

Megjithatë, më pas banori këmbënguli se e kishte shitur mjetin dhe po ashtu edhe blerësi i dytë ia shiti një personi që kishte ndërruar jetë nga Covidi dhe që gjithashtu e kishte lënë në një servis.

Përveç Redion Hysës, që akuzohet për vrasjen e Xhuliano Prelës dhe Nikoll Sherrnikut nën akuzë për përkrahje të autorit të krimit, emri i tretë që u hetua ishte pikërisht Brilant Martinaj.

Por hetimi ndaj tij u pushua dhe nuk pati asnjë ballafaqim hetimor në gjykatë për këtë krim.

Pikërisht, këto dy dosje e bëjnë dyshuese policinë, e cila edhe në ekzekutimin e trefishtë, ka dyshime se sërish nuk i vlerësoi siç duhet provat në vendngjarje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë