Dosje

Atentati në Fushë-Krujë, njëri nga viktimat telefonoi familjen kur kuptoi se po ndiqeshin

Gazeta Si – Tre të rinjtë nga Fushë Kuqja që u ekzekutuan në një atentat mafioz të dielën në mbikalimin e Fushë Krujës, dyshohet se kishin pikasur se po ndiqeshin nga disa persona të panjohur.

Sipas burimeve paraprake, 30-vjeçari Dikler Vata ka telefonuar nënën dhe motrën dhe u ka shprehur shqetësimin se po ndiqeshin.

Viktimat nuk janë kundërpërgjigjur me armë zjarri pasi nuk ishin të armatosur. Hetuesit kanë marrë në pyetje dhe një mikun e tre të rinjve, i cili ka qenë kontakti i fundit i tyre.

LEXO EDHE:
– Dosjet ku përmendej Brilant Martinaj, krimi i trefishtë në Fushë-Krujë dyshohet se u urdhërua për hakmarrje
– Një ‘komando’ në masakrën e Fushë Krujës? Asnjë plumb jashtë objektivit, viktimat u ndoqën që nga Rinasi

Referuar dëshmisë së tij është zbardhur dhe itinerari që Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha ndoqën para se të ekzekutoheshin.

Gjatë paradites ata kanë qenë në një lokal në Rinas, ndërsa në mesditë shkuan në një restorant të njohur afër mbikalimit të Fushë-Krujës.

Aty parkuan makinën “Wolksvagen Passat” dhe një shoku i tyre i mori me makinë dhe i dërgoi deri në Kamëz tek një servis ku kishin lënë një tjetër makinë për riparim. Duke qenë se makina nuk ishte gati ata janë kthyer po me mjetin e mikut të tyre, deri tek restoranti ku kishin Passati-n. Disa minuta më pas dolën prej aty dhe morën drejtimin për tek mbikalimi i Fushë-Krujës. Në ketë të fundit ata u ndeshën me breshërinë e plumbave.

Nga ana tjetër edhe automjeti që u gjet i djegur 12 orë pas ngjarjes në fshatin Ahmetaq i ka kaluar për verifikime policisë së Fushë-Krujës, nëse është përdorur si alibi për të shpërqendruar hetimet. Por ka dyshime që mund të ketë qenë edhe e autorëve të cilët pasi dogjën dhe këtë automjet, janë larguar nga zona me tjetër mjet.

Pista kryesore vijon të jetë përplasja mes grupeve kriminale ndërsa personat që mund të kenë dijeni për ngjarjen nga Fushë-Kruja dhe Nikla prej gati një jave rezultojnë të jenë larguar nga vendi në mënyrë të rregullt. Kjo është vërtetuar nga sistemi TIMS.

Më herët, policia ka shoqëruar dhjetëra persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe ka ofruar 30 milionë lekë të vjetra shpërblim për këdo që jep informacion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë