Drejtësia

‘Babale’, shtyhet sërish gjyqi në Apel ndaj Salianjit për kallëzim të rremë

Gazeta Si – Është shtyrë për të dytën herë brenda 12 ditësh seanca gjyqësore ndaj deputetit demokrat, Ervin Salianji në lidhje me dosjen “Babale”.

Gjyqi për Salianjin, është shtyrë në një datë tjetër ende të papërcaktuar.

Mësohet, se shkak është bërë kërkesa e mbrojtësve të personave të pandehur në këtë proces për shtyrjen e seancës dhe mungesa e njërit nga anëtarët e trupit gjykues.

Seanca duhet të ishte zhvilluar ditën e sotme, ndërkohë që çështja është hapur qysh prej vitin 2019 kur Ervin Salianji nisi përballjen me Prokurorinë e Apelit.

Organi i akuzës pretendon se ai ka kryer kallëzim të rremë në dosjen Babale së bashku me Fredi Alizotin, Albert Veliun dhe gazetarin Jetmir Olldashi.

Në seancën e parë që duhej të mbahej në 4 korrik, Salianji tha se procesi është i manipuluar me një dëshmitar të rremë.

Çështja “Babale” solli edhe dorëheqjen e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Ndërsa Salianji akuzon edhe vëllain e ish-ministrit, Geron Xhafa si të lidhur me trafik droge.

Sipas prokurorisë, kjo gjë nuk ishte gjë tjetër veçse një skenar që përfshiu dëshmitarin “X” dhe një shok të tij të joshur për përfitim personal.

Por Albert Veliu, njohur ndryshe si Babalja, u largua për azil politik, kurse bashkëpunëtori i tij, Fredi Alizoti, i vetmi që bëri burg sipas Gjykatës së Apelit u tërhoq nga apelimi, pasi e ka vuajtur dënimin.

Në këto kushte, Salianji pret të jetë dyfish i akuzuar, jo vetëm nga prokuroria por edhe nga Geron Xhafa për të cilin Gjykata e Apelit kërkoi të njoftohet për nisjen e procesit, pasi ka statusin e viktimës dhe të dëmtuarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë