Drejtësia

‘Babalja’, shtyhet seanca në Apel ndaj Ervin Salianjit: Proces i manipuluar me një dëshmitar të rremë

Gazeta Si - Seanca gjyqësore e çështjes “Babale” në ngarkim të deputetit Ervin Salianji është shtyrë në datën 18 korrik për shkak të mosinformimit të trupit gjyqësor.

Në seancën ndaj Salianjit, nuk plotësohej trupi gjykues, ku mungonte gjyqtarja Elona Toro, e cila dyshohet se është me COVID-19.

Të pranishëm në seancë në mbështetje të Salianjit ishin deputetët Luan Baçi, Saimir Korreshi, Elda Hoti, Flamur Noka, Luçiano Boçi, Belind Këlliçi, Selaudin Jakupllari, Kasem Mahmutaj, Bledion Nallbati.

Lidhur me këtë, deputeti i PD-së ka thënë se ka ndodhur për shkak të mungesës së avokatëve.

Ai ka shtuar se nuk ka asnjë vepër penale që ngarkon me faj atë. Salianji ka deklaruar se ka paraqitur prova për të provuar pafajësinë.

“Jam paraqitur në sallë për të ndjekur çështjen gjyqësore pas akuzës, për shkak të mungesës së avokatëve seanca u shty. Vonesat dhe sorrollatjet në sistemin e drejtësisë janë të pranishme dhe të përhershme por dhe për shkak të hartës së re gjyqësore. Ankimimi është i plotë. Nuk ka pasur një vepër penale. Unë kam paraqitur prova para publikut për të provuar pafajësinë time. Prokuroria dhe gjyqësori duhej të provonte fajësinë. Unë nuk kam bërë formalisht një kallëzim penal në Gjykatë, por kam bërë një denoncim publik”, - tha Salianji për mediat.

Salinaji i ka qëndruar akuzave të tij, duke thënë se procesi është manipuluar me një dëshmitar të rremë.

“Seanca u manipulua nga një dëshmitar i rremë. Pjesa e investigimit të gazetarit është e njohur për publikun, sesi të gjithë drejtuesit e lartë politikë ishin të përfshirë në një çështje ku kërkonin të involvonin një dëshmitar të rremë, një personazh që sot i ka marrë paratë e veta nga qeveria dhe sot ishte dakord edhe me burgun që ka bërë”, shtoi Salianji.

Trupi gjykues i Apelit, do të shqyrtojë kështu në 18 korrik ankimimin që deputeti dhe të pandehurit e tjerë i kanë bërë vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila i dënoi me burg për akuzën e kallëzimit të rremë ndaj Agron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj.

Në dhjetor të vitit 2019 Gjykata e Shkallës së Parë e shpalli fajtor dhe e dënoi deputetin me 1 vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë.

LEXO EDHE:
- Si përfundoi Ervin Salianji nga akuzues në i akuzuar
- Vendimi i Shkallës së parë /1 vit burg Salianjit, 100 orë punë gazetarit Olldashi

Gjithashtu fajtor u shpall edhe i pandehuri tjetër Albert Veliu, i cili u dënuar me 3.5 vite burg, ndërsa Fredi Alizoti u dënua 2 vite heqje lirie.

Gjykata dënoi me 6 muaj burgim dhe gazetarin Jetmir Olldashi, dënim të cilin ka konvertoi në shërbim prove, duke kryer 100 ore pune në shërbim publik.

Ky vendim është ankimuar nga të pandehurit dhe avokatët e tyre dhe do të shyrtohet në shkallën e dytë të gjyqësorit.

Nëse Apeli do të konfirmojë vendimin e Shkallës së Parë atëherë deputeti Salianji, rrezikon burgun. 

Një ditë më parë nga Korça, Salianji konfirmoi se do të jetë i pranishëm në seancën gjyqësore, siç ka bërë edhe më parë.

Çështja "Babale" nisi në vitin 2018 pas një video-përgjimi të publikuar nga selia e PD-së.

Në këtë audiopërgjim shtetasi Albert Veliu, i njohur ndryshe edhe si Babale, pretendonte se fliste me vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për çështje që lidheshin me trafikun e drogës në qytetin e Vlorës.

Opozita pretendonte se ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj kishte mbrojtur vëllanë e tij, Agron Xhafaj, të dënuar me 7 vjet e 4 muaj burg në Itali.

Pasi u publikua audio-përgjimi, Agron Xhafaj u dorëzua tek autoritetet italiane dhe është në qeli, ndërsa Prokuroria nisi paralelisht një hetim.

Ndërkohë, “Babalja”, pritet të ekstradohet nga Kosova në Shqipëri, pasi u largua menjëherë pas publikimit të audio-përgjimit në maj 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë