Lajme

1 vit burg ish-deputetit Salianji, 100 orë punë gazetarit Olldashi

Trupi gjykues i kryesuar nga Artan Gjermeni ka dënuar me 1 vit burgim ish-deputetin e PD-së, Ervin Salianji dhe me 6 muaj gazetarin Jetmir Olldashi. Gjithashtu mësohet se gjykata të shpallë fajtor Albert Veliun i njohur edhe me nofken Babale dhe shpalli dënimin e tij me 3.5 vite burg. Një tjetër vendim i trupës gjyqësore ishte të deklaronte fajtor të Fredi Alizoti dhe dënimin e tij me 2 vite burg. Gjykata nuk e pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi të mos e pezullojë vuajtjen e dënimit në burg.
Në vendimin e saj gjykata vendosi deklarimin fajtor të gazetarit Jetmir Olldashit dhe dënimin me 6 muaj burgim dhe pezullimi i dënimit me shërbim prove, duke kryer 100 ore pune në shërbim publik.


Menjëherë pas këtij vendimi, reagoi pas daljes nga salla e gjyqit, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i cili e cilësoi si një diçka të pritshme dënimin dhe akuzoi ashpër gjyqtarin Artan Gjermeni. “Ervin Salianji u dënua sot nga gjyqtari i lidhur nga bandën e Lushnjës që i shërbeu sot bandës së Agron Xhafës. Mbajeni mend këtë që po e deklaroj sot, në momentin kur Artan Gjermeni të kalojë në procesin e Vetingun ai do të rezultoi si personi që i ka shërbyer bandave. ot ata janë dënuar nga një anëtar i bandës së Lushnjës. Prokuroria dhe Gjykata kanë marrë një vendim politik për të mbrojtur trafikantët e drogës në Vlorë dhe për t’i mbyllur gojën opozitës dhe medias. Ky vendim nuk do të na ndalë në betejën e përditshme me qeverinë që bashkëpunon me krimin e organizuar por na bën më të fortë për të vazhduar betejën jo vetëm me përfaqësuesit e krimit në qeveri por edhe përfaqësues të krimit në gjykatë e prokurori. Sot Ervin Salianji është dënuar nga banda e Lushnjës pse ka akuzuar bandën e Agron Xhafaj”, deklaroi Bardhi.


Ai përsëriti disa herë se gjyqtari Artan Gjermeni është anëtar i Bandës së Lushnjës. “Ky është fakt. Sot është bërë bashkë banda e Lushnjës me bandën e Agron Xhafajt. Ky dënim sot është për të mbrojtur këto banda”, theksoi Bardhi.

Fredi Alizti, personi që deklaroi se kishte marrë 200 mijë euro të imitonte zërin e Agron Xhafajt


Pas kësaj deklarate të fortë, para medieve doli edhe ish-deputeti Salianji, i cili deklaroi se çështjen do ta ankimonte dhe do ta çonte deri në Gjykatën e Strasburgut. “Kjo ishte një vendimmarrje e shkruar shumë kohë më përpara, e pabazuar në ligj e pabazuar në prova. Ka disa shkelje të qarta që e bënin këtë vendim të ishte në një konkluzion të tillë që më herët. Nuk ka mafie, nuk ka llum, qelbësira që as më ndalin dhe më izolojnë dot. E sigurt është që gjyqtari shok me Xhafajt dhe bandat i ka bërë një shërbim PS dhe bandave. Do kemi kohë për të folur për skandale të tjera”, u shpreh ai.


Çështja e hetimit ndaj Salianjit ishte për një audiopërgjim të publikuar nga opozita dy vite më parë, ku pretendohej se ishte një bisedë mes një trafikanti Albert Veliu dhe Agron Xhafajt vëllait të ministrin të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj. Në të pretendohej se flitet për transporti të lëndëve narkotike drejt Italisë. Ky audiopërgjim ishte si pjesë e një investigimi që u krye nga gazetari Jetmir Olldashi, por që u publikua nga ana e PD-së. Ndërsa një audiopërgjim i tillë shkaktoi furtunë politike që solli edhe largimin e Xhafajt si ministër disa muaj më pas. Nga hetimet rezultoi se zëri i Agron Xhafajt nuk ishte origjinal dhe se ai ishte imituar nga ana e Fredi Alizotit, i cili do të deklaronte në prokurori se i kishin afruar një sasi të konsiderueshme eurosh për të realizuar këtë audiopërgjim.
Pavarësisht vendimit për Salianjin, demokrati nuk do të arrestohet, pasi duhet të ketë vendim të formës se prerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë