Politike

Si përfundoi Ervin Salianji nga akuzues në i akuzuar

Prokuroria kërkoi këtë të martë dënimin me burg për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Ai ishte protagonisti i publikimit të një audiopërgjimi ku sipas PD shfaqet Albert Veliu, njohur si ‘Babale’ duke komunikuar me Agron Xhafajn, vëlla i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Por, si përfundoi Ervin Salianji nga akuzues në person të akuzuar?

Gjithçka shpërtheu më 14 maj të 2018-ës. Ervin Salianji dilte në një konferencë për shtyp së bashku me Enkelejd Alibeajn ku akuzonin se Agron Xhafaj kontrollonte trafikun e hashashit në drejtim të Italisë, duke shfrytëzua mbrojtjen që i siguronte i vëllai i pushtetshëm, në atë kohë ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Agron Xhafaj është bos i drogës në Shqipëri, por i paprekshëm përsa kohë është vëllai i ministrit të Brendshëm. Fatmir Xhafaj është mbrojtja e Agron Xhafajt. Fatmir Xhafaj i siguron vëllait trafikant droge mbështetjen e Policisë së Shtetit. Ky është realiteti i qeverisjes së Edi Ramës: Ministrat e tij të brendshëm mbështesin dhe lehtësojnë trafikun e drogës. Pushteti i Edi Ramës e ka lidhur fatin e vet me atë të krimit të organizuar. Agron Xhafaj është bosi i drogës në Shqipëri por është i paprekshëm”, deklaronte Salianji.

PD akuzonte se Agron Xhafaj kërkohej nga drejtësia italiane për të vuajtur një dënim prej 7 vitesh burg për trafik dhe shpërndarje kokaine.

Dy ditë më vonë, Kryeministri Edi Rama komentoi këtë audiopërgjim të publikuar nga opozita. Ai e cilësoi montazh dhe paralajmëroi se dikush do të përgjigjej me burg për këtë.

“Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen të kryer në një prej laboratorëve më seriozë të botës, mua ajo përgjigje më mjafton për t’ju thënë juve se nuk jemi para asnjë lloj prove kundër ministrit të Brendshëm, por para një mashtrimi me një material jo autentik nëpërmjet të cilit kërkohet destabilizimi i qeverisjes dhe moshapja e negociatave me BE. Në këtë sfidë, Prokuroria dhe Gjykata duhet t’i japin provën e të vërtetës, ose të provojnë shkencërisht avërtetësinë e audio-përgjimit, ose pastaj të pranojnë se s’ka asgjë nga ato që thotë opozita”, u shpreh ai.

Si kundërpërgjigje, një ditë pas kësaj deklarate të Kryeministrit Edi Rama, pra më 17 maj, Partia Demokratike publikoi një intervistë me personin që deri në atë kohë quhej “Dëshmitari X”. Intervista zbuloi se identitetin e dëshmitarit X. Ai ishte Albert Veliu, 51 vjeç dhe në intervistën në fjalë i qëndron versionit të Partisë Demokratike se flet në telefon me Agron Xhafajn, ku i kërkonte ta ndihmonte për të kaluar në Itali ca “barishte”, duke nënkuptuar këtu hashash.

Në intervistën e publikuar nga opozita, pasi prezantohet, Veliu thotë se ka qenë pjesë e grupit të Agron Xhafajt në Itali në trafikun dhe shpërndarjes së drogës deri në vitin 2002. Ai thotë se me Agronin është njohur me anë të një miku të përbashkët në vitin 1999. Veliu shton se në 2005 ra në burg, ku u dënua me 7 vite. Më tej, në dëshminë e dhënë para kameras, ai thotë se në fillim të 2018 i kishte kërkuar Agron Xhafajt një nder. “E kërkova për të hedhur barishte në Itali. I kërkova një favor dhe më prezantoi me këtë Ermalin. Ja kërkova se ishte në gjendje të keqe ekonomike dhe e vura në provë se sa korrekt qe për mua”, deklaron ai.

Albert Veliu

Prokuroria nisi hetimet dhe duke marrë në pyetje Albert Veliun, ndërkohë që më vonë u zbulua se intervista ishte realizuar nga gazetari Jetmir Olldashi. Edhe ky i fundit u mor në pyetje nga organi i akuzës.

“Albert Veliu telefonoi në praninë time numrin 0672014472 për të cilin më tha se është Agron Xhafaj të cilin e thërriste Pasha. Numrin e verifikova në True Caller dhe rezultoi që ishte i regjistruar me emrin Goni Xhafaj! Pas bisedës telefonike Albert Veliu u kthye në lokal, ndërkohë që unë qëndrova në lokalin përballë. Theksoj se në të gjitha takimet i kisha dhënë një pajisje regjistruese Albert Veliut. Alberti erdhi menjëherë pas takimit me Agron Xhafaj (Gonin) dhe unë i mora pajisjen e regjistrimit të bisedës që i kisha dhënë. Nga zbardhja e bisedës së përgjuar që është bërë tashmë edhe publike, Albert Velliu i kishte kërkuar Agron Xhafajt ndihmë për të siguruar dhe trafikuar një sasi kanabisi në drejtim të Italisë dhe Agron Xhafaj e kishte dërguar tek një person për të mbaruar punë”, thotë ndër të tjera në dëshminë e tij gazetari Olldashi.

Në pyetje u morën edhe deputetët të Partisë Demokratike, përfshirë këtu Ervin Salianjin. Pas kësaj në media përhapet lajmi se vetë Agron Xhafaj ishte nisur në drejtim të Italisë duke lënë pas një letër, ku pranohej dënimi i marrë në Itali dhe ku thuhej se krimin e kishte kryer në moshë të re dhe periudhë të vështirë të jetës së tij, por se nga drejtësia italiane nuk kishte patur kurrë një kërkesë ekstradimi për të.

Këtij versioni i qëndroi edhe Fatmir Xhafaj në daljen e parë publike për këtë çështje. Temperaturat e larta të verës 2018 u shoqëruan me temperaturat e ndezura të politikës për këtë rast. PD e cilësonte skandal dhe kërkonte dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, ndërsa mazhoranca e cilësonte sajesë të gjithë historinë dhe kërkonte nga prokuroria zbardhjen e saj.

Prokuroria nga ana tjetër vijonte hetimet, ndonëse me ritme të ngadalta, ndërsa Albert Veliu kishte aplikuar për azil në Kosovë. Në fillim të tetorit, Kryeministri Edi Rama i rikthehej kësaj teme. Ai përsëriti se gjithçka ishte sajesë dhe se në audiopërgjimin e publikuar nga PD nuk ishte Agron Xhafaj, por një person tjetër që kishte pranuar të luante rolin e vëllait të ministrit të Brendshëm të asaj kohe pas premtimit për para nga deputetët e opozitës.

Rama tha se personi në fjalë ishte penduar dhe kishte pranuar gjithçcka dhe më vonë u mësua se ai ishte Alfred Alizoti, kunat me Albert Veliun. PD iu përgjigj sërish. Ervin Salianji publikoi një tjetër video ku shfaqej Alfred Alizoti. Në videon në fjalë, Alizoti thotë se ishte marrë në makinë nga drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe nisur për në Tiranë. Këtu, sipas rrëfimit të tij, e kishte takuar edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

“Ky Taulanti ishte me dy veta të tjerë përballë me Prokurorinë. Ishte një lokal aty. Kam pirë dhe kafe aty. Filloi të më blinte mendjen. I thashë që nuk kam gisht fare, thjesht e kam pas shok. Kot provokime e gjëra, me kë je, me ne apo me këta. Taulanti më tha hidhu nga ne, troç ma tha. Muhabete siç i kanë këta, do të të çojmë andej do të të jap lekë. Donte të dinte nëse kisha unë gisht tek këto. Unë s’di gjë për këto muhabete i thashë”, thotë Alizoti në videon në fjalë.

Florenc Hoxha

Si intervistues në realizimin e videos së dytë, Prokuroria dyshoi se ishte Florenc Hoxha, ish-drejtues i Policisë Bashkiake të Tiranës, kur kjo e fundit drejtohej nga Lulzim Basha.

Ndërkohë, si Taulant Balla ashtu edhe Ardi Veliu i hodhën poshtë si të pavërteta deklaratat e dëshmitarit të dytë të dosjes “Babale”. Dalja publike e Alfred Alizotit pështjelloi edhe më tej një dosje që edhe aq sa ishte dukej goxha e ndërlikuar për publikun.

Një tjetër personazh që u mor në pyetje nga ato ditë ishte edhe Erzen Breçani, ish-zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit në kohën e Partisë Demokratike.

Erzen Brecani

“Është e vërtetë që jam thirrur nga prokurori i Krimeve të Rënda për këtë ngjarje. Kam marrë një telefonatë para dy- tre muajsh. Më është prezantuar një person si, kunati i Babales. Ai më ka thënë se, telefonata nuk ishte e vërtetë dhe se gjithçka i kishte bërë për azil politik. Jam kunati i Babales”,-tha. ‘Dua të rrëfej diçka, të flasim nga afër.” Më tha: “Dua dhe 4 mijë lekë borxh se, s’kam ku të fle.” E pyeta se: ‘Pse nuk shkon të flesh në shtëpinë tënde në Fier? Ai përmendi edhe azilin politik. Asaj telefonate nuk i kam kushtuar rëndësi. Por kam nisur të mendoj, kur më ka thirrur Prokuroria e Krimeve të Rënda”, deklaronte ai.

Në fund të tetorit Fatmir Xhafaj largohet nga posti i ministrit të Brendshëm, vendim që e zbehu bujën publike të dosjes “Babale”. Megjithatë, prokuroria vijoi të hetojë dhe në mars të këtij viti mori si të pandehur Ervin Salianjin me akuzën e “shpifjes” dhe “kallëzimit të rremë”. Përveç tij në hetim u morën edhe Albert Veliu dhe i afërmi i tij që imitoi zërin e Agron Xhafës, Fredi Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi.

Prokuroria thotë se Ervin Salianji është njeriu që ka ndërmjetësuar takimin me Albert Veliut dhe gazetarit Jetmir Olldashi dhe dyshon se Veliut dhe Alizotit u është premtuar nga ish-deputeti demokrat një shumë e konsiderueshme parash në këmbim të dëshmisë së rreme.

Prokuroria dorëzoi dosjen për gjykim para datës 20 mars dhe që prej asaj kohe e deri më tani janë zhvilluar disa seanca, në përfundim të të cilave, prokuroria kërkon dënimin me burg për Ervin Salianjin. Ky i fundit e cilësoi një vendim politik të organit të akuzës.

“Prokuroria lexoi fiks atë që tha kryeministri e avokati i Xhafajt. Edhe sot pala e Xhafajt kishte të njëjtin qëndrim. Prokuroria politike nuk mori asnjë provë nga ato që kemi dorëzuar. Sot nuk u kërkua dënimi im, ai është kërkuar që kur kam bërë publike çështjen. Askush nuk do ia dalë as të më mposhtë as të më frikësojë apo të më izolojë”, u shpreh Salianji në përfundim të seancës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë