Nga Gazeta Si – Performanca e Ronela Hajatit, përfaqësueses së Shqipërisë në Eurovizion në gjysmëfinalen e parë dhe moskualifikimi i vendit tonë për në finale u shoqërua me reagime dhe qëndrime të shumta, por nuk kaloi dhe pa vëmendjen e mediave të huaja.
Të shumtë kanë qenë ata që janë shprehur ashpër, duke e cilësuar performancën e saj si vulgare. Por për paraqitjen e saj në të njëjtën linjë janë edhe kompozitorët, duke e cilësuar si një këngë të dobët.
Kompozitorja Eriona Rushiti, pjesëmarrëse në Eurovizion në vitin 2019, thotë për Gazetën “Si” se përfaqësimi shqiptar këtë vit nuk kishte një koncept të qartë të asaj që do të përfaqësonte.
Duke e analizuar në aspektin muzikor, ajo thotë se në rastin e Shqipërisë të gjithë komponentët e një kënge çaluan.
“Të marrësh pjesë në një garë kënge, në radhë të parë duhet të kesh këngën, pastaj interpretimin, e në fund performancën. Sikur njëra nga këto të mos jetë në vendin e duhur, ajo skenë e madhe të nxjerrë zbuluar. Dhe ne nuk kishim asnjërin nga këto komponentë”, shprehet Rushiti, ndërsa shton se “kënga ishte një miksim i gjithçkaje dhe i asgjëje”.
Sipas kompozitores, interpretimi i saj nxori në pah mungesën e regjistrit të poshtëm (vokal) dhe dha idenë e një kënge për orët e vona të natës.
“Jo vetëm mungoi vokali, por kishte pamundësi për të kërcyer e kënduar njëkohësisht (qoftë edhe atë material që më shumë është krijuar si këngë stadiumi, me britma, me numra 1-2-3 e fjalë pa asnjë lidhje logjike me njëra-tjetrën). Performanca kishte si qëllim vetëm lëvizjet joshëse për një publik të orëve të vona të natës”.
Të njëjtën e gjë e pohon edhe kompozitorja Diana Ziu. Në një intervistë, ajo e ka cilësuar të turpshëm përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovizion me këngën ‘Sekret’ të Ronela Hajatit, pasi sipas saj nuk ishte këngë, “nuk kishte as tekst as vijë melodike”.
“Ajo këngë nuk ishte për t’u çuar në Eurovizion. S’ka melodi, tonalitet, nga fillimi në fund është një ulërimë që s’thotë asgjë. Teksti është banalitet total. Është turp i madh kush e ka bërë këtë tekst”, është shprehur kompozitorja Ziu.
Rushiti thekson se struktura e këngës ishte ‘arna-arna’ dhe ishte e mbushur më shumë me pasthirrma agresive, dhe një gjë e tillë të bën të kërkosh elemente të tjerë për të tërhequr vëmendje.
“Një tekst që ka brenda edhe ‘xhamadanin vija-vija’, edhe fjalën ‘regret’, edhe ‘toca-tocalo’, edhe ‘ta marrsha’, edhe ‘ma ke bo jetën si lojna, avion’. Në këtë pikë, edhe performanca sigurisht që nuk mund të ketë as koncept, e as fabul, kështu që do i thërrasësh në ndihmë ndonjë pjesë intime për të tërhequr vëmendje e për të justifikuar titullin e këngës ‘Sekret’ që as atë nuk e justifikoi”, thotë Rushiti.
Duke bërë një paralelizëm dhe me reagimet e Ronelës për klikimet që ka marrë, ajo thotë se në kompeticione si Eurovizioni nuk është qëllimi te klikimet.
“Përfaqësimi i një shteti është mbajtja e atij flamuri në dorë dhe jo qëllimi për të bërë sa më shumë ndjekës në profilin tënd. Edhe pse Ronela bëri më të mirën e mundshme, ka bërë aq sa mund të bëjë ajo për veten e saj, por jo për shtetin që përfaqëson. Kur paraqitesh në Eurovizion, nuk është njësoj si të bësh një klip e të marrësh ca klikime, nuk është e njëjta gjë me të kënduarit në një shesh të mbushur me të rinj”, thotë ajo.
Ndër të tjera, Rushiti thotë për Gazetën “Si” se në performancën e këtij viti, faji nuk duhet kërkuar vetëm te Ronela, pasi përfaqësimi i një shteti nuk bëhet dot vetëm.
“Mendoj që duhet një drejtor artistik që të merret me këngën që sapo ajo del fituese dhe të mos lihet në dorë të improvizimeve individuale. Ronela i mori përsipër vetë këtë vit të gjitha: edhe krijimtarinë, edhe interpretimin, edhe paraqitjen skenike. Ndërkohë që duhet një staf dhe sidomos një drejtor artistik që koncepton çdo dalje të saj nëpër turet që bëhen në Europë, i cili koncepton videoklipin dhe në fund daljen skenike”.
Sipas saj, kënga pasi fitoi festivalin duhej rikonceptuar si material muzikor dhe duhej riparë teksti.
“Rikonceptimi duhej bërë duke ruajtur materialet më të mira që ajo kishte dhe duke e zhvilluar atë qoftë në vijë melodike. Por më thelbësorja duhej ribërë teksti, si pjesa më e dobët e këngës. Të dyja këto rikonceptime do i jepnin mundësi edhe performancës skenike”, shprehet ajo.
Rushiti thotë se edhe thyerjet e disa tabuve shqiptare duhet të arrihen me art, gjë që mungoi në performancën e Hajatit.
“Duan eksperiencë skenike, duan krijimtari e, mbi të gjitha, duan dinjitet artistik e jo banalitet. Jo më kot u censuruan disa foto të Ronelës në provën e saj të parë. Organizatorët e Eurovizionit i kujtuan edhe njëherë ekipit shqiptar faktin që ky është një eveniment familjar. Pra, kemi të bëjmë me një shoë ndërkombëtar dhe jo individual”.
Rushiti përfundon për Gazetën “Si” se përpos përfaqësimit të dobët të këtij viti, “ne dimë akoma të ndërtojmë një vijë të bukur melodike, ne dimë akoma të ndërtojmë një mesazh kënge apo të rendisim ca vargje, ne dimë akoma të këndojmë të vetëm në skenë, qoftë edhe me një ndriçim modest e të emocionojmë me vokal…”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.