Muzike

Veshje unike, fshirje fotosh dhe polemika pa fund. Ronela Hajati, më e diskutuara e Eurovizionit

foto e roneles

Nga Gazeta Si - Mbrëmjen e së dielës në pallatin e Venerias në Torino u zhvillua ceremonia e “tapetit të kaltër”, ku artistët e 40 shteteve pjesëmarrëse në Eurovizion kanë bërë hapjen e këtij edicioni.

Ajo që ka marrë vëmendjen e të gjithëve, është këngëtarja që përfaqëson Shqipërinë këtë vit, Ronela Hajati, pasi është shfaqur me një veshje shumë të veçantë.

Një detaj që ka marrë gjithashtu vëmendjen ka qenë shiriti me ngjyrat e ylberit, si shenjë e përkrahjes për komunitetin LGBTQ+.

Veshja e Hajatit ka marrë edhe vëmendjen e prezantuesve, të cilët janë habitur dhe janë shprehur se ajo vjen gjithmonë ndryshe.

“Kjo është një ëndërr e madhe për secilin artist, një prej skenave më të mëdha në Europë në të cilat mund të performosh. Dua ta respektoj skenën e kësaj mundësie jetësore të cilën nuk dua ta çoj dëm”, është shprehur Ronela Hajati.

Veshja e saj, tanimë e mbuluar e gjitha, mund të jetë edhe një kundërpërgjigje nga ana e artistes ndaj kritikave që mori për provën e saj të parë në skenën e Pala Olimpico.

Provat e festivalit të Eurovision-it u ekspozuan përmes një galerie me foto në faqen zyrtare në Instagram, por ato që morën një sërë komentesh ishin fotot e këngëtares shqiptare të cilat u fshinë, për t’u hedhur pak më vonë pa njërën prej tyre.

Ronela kishte një foto në galerinë e saj që siç duket u cilësua si provokuese nga organizatorët e Eurovision-it. Një gjë e tillë u shoqërua me pikëpyetje nga ndjekësit, por jo vetëm. Një faqe në Instagram që i dedikohet përfaqësimit të Shqipërisë në Eurovision shfaqi hapur shqetësimin për këtë gjest të faqes zyrtare.

Fotoja që u fshi nga faqj zyrtare e Eurovizion

“Mesditën e së dielës galeria e fotove të Ronelës u hoq nga llogaria zyrtare e Eurovizionit në Instagram. Më pas u ripostua, por pa foton e parë. Nuk është dhënë asnjë shpjegim dhe Shqipëria ishte i vetmi vend të cilit iu hoq postimi dhe u rihodh më vonë”, thuhej në faqen e Eurovision Albania që theksonte se këngëtarja shqiptare mori vëmendje kudo, në të gjitha platformat sociale me performancën e saj.

Sipas tyre fshirja e fotove është censurim duke qenë se postimi kishte 25 mijë pëlqime, më shumë se çdo postim tjetër. Edhe pse pati zëra që këngëtares i është kërkuar që të ndryshojë koreografinë, vetë Ronela në një intervistë për mediat do të shprehej se nuk do të ketë asnjë ndryshim koreografie.

Përpos kësaj, Ronela Hajati do të përballej edhe me fyerje të rënda madje dhe sulme verbale për fizikun e saj, gjë për të cilën edhe ka reaguar më herët. Bashkë me bullizmin ndaj Ronelës, në rrjetet sociale kanë nisur edhe sulmet ndaj Eurovizionit për detaje teknike.

Prej gjithë kësaj lufte mediatike, EBU (The European Broadcasting Union) vendosi të bëjë një deklaratë publike, pa përmendur emra, por tërthorazi ky duket si një reagim edhe për këngëtaren shqiptare.

“Ne dënojmë fuqishëm të gjitha format e diskriminimit dhe jemi të tronditur nga niveli serioz që ka marrë abuzimi në internet që u është drejtuar atyre, të cilët punojnë fort për të prodhuar shfaqjen e këtij viti”, shkruajnë mediat italiane.

Më tej, EBU flet edhe për sulmet që janë nisur “edhe në llogaritë e tyre personale” dhe vazhdojnë me paralajmërimin se: “çdo sjellje e paligjshme do të bllokohet menjëherë dhe në raste të rënda do t’i denoncojmë personat tek autoritetet kompetente vendore”.

Organizata përfundon duke u bërë thirrje ndjekësve dhe fansave të artistëve të ndryshëm të komentojnë “në mënyrë civile dhe të tregojnë respekt”.

Teksa na ndan vetëm një ditë nga nisja e këtij kompeticioni, Ronela Hajati është shprehur se nuk ka pritshmëri për fitore, por vetëm që të futet në finale.

“Ne dalim në 10 maj. Nuk kam pritshmëri, ndoshta ka të bëjë nga modestia, por gëzimi më i madh për mua është të futem në natën finale, nuk kam pritshmëri të larta se nuk dua të zhgënjehem. Kënga është moderne, jam mundur t’i ndërthur sa të mundem, kam lënë çdo projekt tjetër, merrem vetëm me këtë këngë”, do të shprehej Ronela disa ditë më parë.

Mbrëmjen e së martës (10 maj) Ronela Hajati do të hapë “Eurovizion 2022” me këngën “Sekret” në natën e parë të gjysmëfinales së këtij edicioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë