Ronela Hajati nuk arriti që të siguronte një vend për Shqipërinë në finalen e Eurovision 2022. Vetë këngëtarja ka reaguar në profilin e saj Instagram. Hajati thotë se e priste këtë rezultat ndërsa është e bindur se ka fituar dashurinë e njerëzve. “Edhe nëse do të isha në finale, do të renditesha e fundit! E dija! Por dashuria që kam marrë është pamasë! Unë e fitova Eurovision sepse fitova publikun! Dhe publiku është gjithmonë i drejtë! Ju dua”, shkroi këngëtarja.
Këngëtarja shqiptare performoi e para me këngën “Sekret” dhe interpretimi ishte tejet energjik.
E veshur e gjitha me rozë dhe e shoqëruar nga katër balerinë dhe koreografja e njohur, Klaudia Pepa, artistja bëri një performancë shumë të nxehtë, e cila u prit me duartrokitje dhe ovacione nga publiku.
Nuk munguan as flamujt shqiptarë që valëviteshin në sallën e madhe të Eurovisionit.
Në fund të performancës, ajo bëri një falënderim në shqip dhe italisht, teksa bëri edhe Shqiponjën, simbolin e shqiptarëve. Por në fund nuk u kualifikua për në finalen e së shtunës.
Ndonëse edhe më herët këngëtarja ishte shprehur se nuk mendonte se do të shkonte në finale, kjo për arsyet e sulmeve ndaj performancës së Shqipërisë nga Eurovision, sërish të gjithë shpresonim për kualifikimin për në finale.
Përfundimi i eksperiencës së saj në gjysmëfinale si duket e ka mërzitur Ronelën, e cila pasi përfundoi nata e parë ndau me ndjekësit një postim.
Teksa postoi një foto përkrah balerinëve të saj, Ronela shkruan se edhe nëse do të shkonte në finale, do të ishte e fundit në listë. Po ashtu, ajo është e bindur se ka fituar zemrën e publikut.
“Edhe sikur të isha në finale do të isha e fundit! E di! Por sasia e dashurisë që kam marrë është e madhe! Unë fitova Eurovizionin sepse fitova publikun! Dhe ata kane gjithmonë të drejtë!”, shkruan Ronela.
Performanca e Hajatit u shoqërua me një sërë komentesh pro e kundër nga artistët shqiptarë e jo vetëm.
Rozana Radi në një status shprehet se Eurovisioni nuk ia ka bërë “hyzmetin” këngës së Ronelës.
“Pra i nderuar publik, kisha shumë të drejtë mbrëmë kur thashë që Eurovisioni nuk ia bëri hyzmetin këngës së Ronelës siç duhet. 1. I censuruan fotot; 2. Nuk i dhanë rëndësinë e duhur në regjistrim; 3. Vunë në diskutim performancën e saj… Por më lejoni të them që vetë Ronela bëri lajm në ‘La Repubblica’ (një gazetë që ëndërrojnë shumë artistë të dalin). Është më e diskutuara në WEB dhe sot ishte avion!”, ka shkruar Rozana.
Ndërkohë, këngëtari Robert Aliaj ka reaguar ashpër ndaj performancës së Ronela Hajatit në “Eurovision”.
Përmes një postimi në Facebook, Aliaj thotë se ka ardhur koha t’i jepet fund metodave korruptive alla shqiptarçe në festivalin kombëtar dhe të mos lejohen më performanca të tilla përfaqësuese, të cilën e cilëson vulgare.
Në Twitter, BBC Three, ka kthyer në ‘meme’ momentin kur këngëtarja rrotullon kokën dhe duket sikur po than flokët.
“Kur taksia vjen për 5 minuta dhe ju nuk keni tharë akoma flokët”, shkruan BBC, teksa ka publikuar videon.
Gjysmëfinalen e parë, vetëm 10 nga 17 këngët që performuan kaluan në finale. Finalja e madhe do të mbahet më 14 maj në orën 21:00.
Shtetet e kualifikuara janë: 1. Zvicra, 2. Armenia, 3. Islanda, 4. Lituania, 5. Portugali, 6. Norvegjia, 7. Greqia, 8. Ukraina, 9. Moldavia, 10. Holanda.
Gjysmëfinalja e parë filloi në orën 21:00 drejtpërdrejt nga Pala Olimpico Arena në Torino, Itali ku mikpritësit ishin Mika, Laura Pausini dhe Alessandro Cattelan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.