Komunitet

Digjitalizimi, Shqipëria zgjeron shërbimet në kurriz të sigurisë

Gazeta Si – Shqipëria ka një deficit të lehtë në sigurinë e të dhënave në raport me nivelin e ofrimit të atyre që njihen si e-Shërbime.

Sipas Indeksit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, një projekt i akademisë estoneze për e-Qeverisjen, niveli i sigurisë së shërbimeve elektronike të ofruara nga qeverisja në Shqipëria përllogaritet në 48.05 pikë, ndërsa niveli i zhvillimit të shërbimeve digjitale është 48.74 pikë

Diferenca prej -0.69 për qind mes këtyre dy shifrave do të thotë se zhvillimi dhe përhapja e shërbimeve digjitale në vendin tonë nuk kanë ecur paralelisht me sigurinë e tyre, duke prodhuar këtë deficit të lehtë.

Ndërkohë, vendi më i sigurtë në mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve vlerësohet Greqia me një diferencë prej +31 pikë. Në indeksin e sigurisë kibernetike, Greqia renditet e para me 96.1 për qind, ndërsa nivelin e zhvillimit digjital e ka 64.47 pikë.

Sipas akademisë estoneze, Greqia ka këtë nivel të lartë sigurie për faktin se e ka nisur procesin e digjitalizimit shumë më vonë se vendet e tjera, çka i dha mundësi që të mësonte aty ku të tjerët gabuan në çështjet e sigurisë. Greqia aplikon thuajse në të gjithë sistemet e saj teknologjinë e sigurisë “blockchain”, që Shqipëria, sipas deklaratave të bërë nga Kryeministri Edi Rama do të fillojë ta aplikojë në sistemet e veta.

Lista e dhjetë vendeve të para përsa i takon sigurisë kibernetike vijon me Lituaninë, Belgjikën, Çekinë, Estoninë, Gjermaninë, Portugalinë, Spanjën dhe Poloninë. Sa i takon nivelit të përhapjes së shërbimeve digjitale, Gjermania renditet e para me 81.43 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë