Ashpërsohet përplasja mes Bashkisë së Tiranës dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Kreu i bashkisë së kryeqytetit ka dalë publikisht hapur kundër Dukës, ndërsa sot institucioni që ai drejton, si aksioner i klubit të futbollit të Tiranës, ka bërë me dije se do të kërkojë një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar për shkeljet presidentit të FSHF-së.
E gjitha kjo ndodh në prag të zgjedhjeve për kreun e shoqatës rajonale të Tiranës në futboll dhe zgjedhjeve për president të FSHF-së, që do të zhvillohen më 2 mars. Pas pretendimeve të Bashkisë së Tiranës ka ardhur edhe reagimi zyrtar i FSHF-së, që e quan gjithçka një tymnajë dhe kërcënim, ndërkohë që nuk mungon ironia ndaj Veliajt.
“I drejtohemi komunitetit të futbollit pas letrës qesharake të shpërndarë nga Bashkia Tiranë për një hetim ndërkombëtar e galaktik ndaj presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në atë fletërrufe janë formuluar akuza delirante të denja për hetuesinë e kohës së diktaturës, ku dhe drejtësia vepronte me urdhra politik. Kjo balonë tymuese e lëshuar një ditë para zgjedhjeve për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë, është një kërcënim për anëtarët tanë.
Pas tentativave të dështuara për të intimiduar dhe kërcënuar anëtarët tanë dhe pasi vrapuan të dalin në foto me viktimën që sapo e kishin kërcënuar, Bashkia e Tiranës doli hapur në përfshirjen e saj në këtë proces zgjedhor që i takon ekskluzivisht vetëm futbollit.
Më parë sulmonte për investime të munguara në infrastrukturë, kurse sot kryetari i komunës, që ndihet Superman dhe Sherlok Holms, u shfaq si Kryeministër, Prokuror i Përgjithshëm, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, shef i Shërbimit Informativ Kombëtar, President i UEFA-s apo FIFA-s. Nëse ka të dhëna dhe prova për kandidatët për garën në FSHF, pse nuk i dërgon në organet ligjzbatuese, por ndjek teknikën e shantazhit publik?
Ky është një kërcënim i hapur për njerëzit e futbollit, sepse provat depozitohen në organet ligjzbatuese dhe jo në media. Kjo ka për qëllim të vetëm krijimin e një klime tensioni në këtë garë. Jemi institucioni që kujdeset për futbollin shqiptar dhe jo për marrëdhëniet me OKB-në apo NASA-n, që ka kontaktuar krye-komunari për ta bërë hetimin të duket galaktik”, shkruhet mes të tjerash në reagimin e FSHF-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.