Njerez

Të plakur dhe në rrugë, lypësit historikë të Tiranës që i bashkon e njëjta histori

Është fundjavë. Shiu duket se nuk ka ndërmend të pushojë, por asgjë nuk j pengon ata të vendosin mushamanë në tokë, mbi kartonin që u shërben si tapet dhe të vendosen në pozicionin këmbëkryq për të lypur. Janë lypësit historikë të Tiranës, të moshuar që kanë ruajtur vendin e tyre prej vitesh, njëri tek blloku i Ambasadave në rrugën e Kavajës, një e moshuar në rrugën “Myslym Shyri”, një tjetër tek kryqëzimi “Zogu i Zi” e dikush tjetër pranë fakultetit të Shkencave Sociale.

Veshja e tyre e hollë pavarësisht kohës, tregon mjerimin por dhe braktisjen totale prej familjes dhe sistemit. Të gjithë janë lypës që u thinjën rrugëve.

“Kam lypur që pas viteve ‘90. Kam ardhur nga Elbasani, punoja në një fermë gjatë komunizmit. Me prishjen e sistemit mbeta pa bukë, ndaj erdha në Tiranë e nisëm të lypim bashkë me gruan”, tregon Pëllumbi që vendin e tij e ruan me fanatizëm, para Fakultetit të Shkencave Sociale dhe pranë kontenierëve të plehërave. Ai është pjesëtar i komunitetit rom dhe ka një djalë të martuar. Kur e pyet se përse ka vazhduar kaq gjatë të lypë në rrugë, të përgjgjet se është e vetmja mundësi, sepse nuk ka gjetur punë.

“Ne jetojmë me qera në zonën e Bregut të Lumit, me një pagesë 110 mijë lek. Djali punon në kompaninë e pastrimit të Tiranës ndërsa nusja rrit fëmijët. Kush do të kujdjeset për mua nëse nuk punoj”, thotë i revoltuar i moshuari.

Para dy vitesh ai humbi gruan me të cilën ndante vendin dhe tani krejt i vetëm është i detyruar të punojë derisa të dalë në pension. Ai është 63 vjeç dhe në rrugë ka dalë që në moshën 33 vjeç.

Kur e pyet se a ka pasur mundësi të gjejë punë kur ishte i ri, Pëllumbi thotë se sistemi komunist i kishte siguruar punë në fermë dhe shtëpi por pas viteve “90 si të gjithë, iku dhe ai nga vendlindja sepse nuk kishte më asgjë. “Paga e djalit prej 330 mije lek nuk mjafton, sepse ai duhet të paguajë qiranë dhe të ushqejë gruan e fëmijët. Unë më 5 mijë lek që nxjerr në ditë, siguroj bukën time”, thotë i moshuari.

Edhe gjyshet lypëse, kontribut për fëmijët

Të njëjtën histori të tregon dhe Nemideja që vendin e lypjes e ka në hyrje të rrugës “Don Bosko”. Shaminë në kokë e lëviz herë pas here kur do të fshehë fytyrën nga ndonjë kalimtar i njohur. Mbi karton, para këmbëve ka vendosur disa monedha 20 lek që ka fituar në mëngjes. Duket se nuk është ditë e mirë sepse në fundjavë nuk ka shumë lëvizje.

“Dal çdo ditë këtu, skam asnjë zgjidhje tjetër. Kam fëmijë me probleme mendore, jam e vetme sepse burri më ka vdekur. Me pensionin e tij dhe pagesat e fëmijëve nuk mund të siguroj asgjë”, thotë e moshuara.

Ajo rrëfen se shtëpinë e ka Tek Burgu i Ri në rrugën “Jordan Misja” dhe ka lypur gjithë jetën.

Me afrimin e festave, ka shpresë se mund të fitojë më shumë.

“Nuk nxjerr më shumë se 2-3 mijë lek në ditë. Kur vijnë festat na hedhin diçka më shumë”, thotë Nemideja.

Kur e pyet nëse pranon ndihma ushqimore apo veshmbathje ajo pohon me kokë. Nemideja thotë se askush nuk e ka ndihmuar ndaj ajo do të vazhdojë të lypë sa të jetë nê gjendje shëndetësore.

Të lypësh pranë mensës sociale

Në trotuarin pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, një grua tek të 50-tat pyet çdo kalimtar “A ke 100 lek?” Pjesa më e madhe janë indiferentë e ndonjë tek-tuk hedh ndonjë monedhë 10-20 lekëshe.

Me cepin e shamisë mbulon pak sytë, ndërsa në anë majtë ka çantën që gjithmonë e ka me rroba. Askush s’ia di historinë sepse nuk flet kur e pyet por çudia është se vendi ku lyp është përballë njé mense sociale, por ajo nuk lëviz prej vendit.

Lypësit e moshuar kanë një kod të tyren, ose lek ose asgjë tjetër. Sepse për ta ushqimi i një dite nuk ka vlerë kur e gjithë jeta është e tillë, në braktisje totale nga të gjithë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë