Art dhe Kulture

Naim Frashëri përkujtohet në 175-vjetorin e lindjes

Në 175-vjetorin e lindjes në Tiranë u përkujtua poeti rilindas, Naim Frashëri.
Veprimtaria shkencore në nder të figurës qendrore të Letërsisë së Rilindjes u organizua si bashkëpunim i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve dhe Akademisë së Shkencave.
Me këtë rast, Akademia e Shkencave ka hapur të parën veprimtari në rendin e një sërë veprimtarish, që ka parashikuar të zhvillojë këtë vit në jubileun e lindjes së kësaj figure emblematike të Rilindjes Kombëtare, që gjatë këtij viti do të ndiqet nga konferenca e botime të tjera, veprimtari nderimi dhe studimi.

Në fjalën e hapjes së veprimtarisë, Skënder Gjinushi kryetar i Akademisë së Shkencave tha se Naim Frashëri dhe Jeronim de Rada janë dy figurat më të rëndësishme të shekullit të formimit të vetëdijes kombëtare shqiptare. Ndër të tjera, Gjinushi tha se Naim Frashëri i erdhi Shqipërisë si një projekt ardhmërie. “Dhe nuk erdhi nga boshi. Ajo u parapri nga ideologjia e shekullit të 18-të, që tek arbëreshët u quajt albanesità, gjatë së cilës emri Shqipëri dhe emri shqiptar u përgjithësuan ndër tërë bashkatdhetarët, për të kulmuar me shprehjen lapidar për vendin e tyre prej Naim Frashërit: “Ti Shqipëri më jep nder/ më jep emrin shqiptar”. Imazhi i Shqipërisë ekziston në shumë forma: ka një Shqipëri politike, ka një Shqipëri ekonomike, një Shqipëri zakonore, një Shqipëri gjuhësore. Por Shqipëria më e bukur është Shqipëria letrare dhe midis Shqipërive letrare ajo e Naimit është shkëndijuese, po aq shkëndijuese sa edhe Arbëria e lavdisë së epokës së Gjergj Kastriotit në poemat e De Radës”, është shprehur Gjinushi.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, tha se kur në prag të shekullit të njëzetë, mendimi i burrave të mëdhenj të viseve shqiptare kish nisur të sendërtohej, shumica prej tyre e kthyen vështrimin nga Frashëri, nga ai vend simbol i vetëdijes sonë nacionale.
“Shtëpia historike e vëllezërve Frashëri, por edhe teqeja e bekuar e bektashinjve, ishin shndërruar në Mekën e Shqiptarëve, në yllin polar prej nga mund të orientoheshin ende pa dalë prej natës së gjatë otomane. Koha që erdhi më pas, vërtetoi katërcipërisht se të dy këta objekte, mbetën të Shenjtë dhe të gjallë në memorien e kombit tonë”, tha ai.
Pëllumb Xhufi, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike (ASH), në kumtesën e tij “Naim Frashëri dhe vizioni i tij i hapjes dhe i tolerancës”, e cilësoi këtë rilindas të shquar si novatorin më të madh në traditën e letrave shqipe dhe atdhetar të madh e humanist me vizion europian.
Vepra poetike e Naim Frashërit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë