Kinema

Shuhet aktori Birçe Hasko, ikona e kinemasë shqiptare

Nga Gazeta ‘Si’ – Ka ndërruar jetë në moshën 84 vjeçare Birçe Hasko, aktori i njohur i kinematografisë shqiptare.

Lajmin e trishtë e ka shpërndarë Mevlan Shanaj, i cili vlerëson figurën e kolegut dhe mikut të tij.

“Ka ikur Birçe Hasko.Ka ikur aktori që la pas një emër të nderuar, një emër të madh në kinematografinë shqiptare.Ka ikur njeriu që solli karakterin ” popullor” të jugut duke e bërë të pavdekshëm.Iku labi Birçe Hasko.Ka ikur njeriu që i dha emrin konkretësi  mjeshtrisë së interpretimit.Ka ikur ai që humorin dhe rreptësinë i kishte pronë të  karakterit.Lamtumirë Mik bashkëpunëtor ! NJERI”, shkruan Shanaj.

Hasko njihej për interpretimet e tij të spikatura, ku solli me mjeshtëri karakterin “popullor” të jugut, duke e bërë atë të paharrueshëm për publikun shqiptar.

Ai lindi në fshatin Dukat, në rrethin e Vlorës, më 15 mars 1942. Në vitin 1961 përfundoi shkollën e mesme pedagogjike “Jani Minga”. Pas përfundimit të saj, punoi për disa vite si mësues dhe drejtor shkolle në fshatrat Amanikaj, Nivicë të rrethit të Tepelenës dhe Poro të rrethit të Vlorës, deri në vitin 1965.

Më pas ndoqi studimet për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (1965-1969). Pas diplomimit, nga viti 1969 e në vijim, ai u angazhua si pedagog i mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve, ku më vonë shërbeu edhe si dekan i Fakultetit të Artit Skenik në periudhën 1989-1994.

Në skenë dhe ekran, Hasko u dallua veçanërisht në role të karakterit komik dhe popullor.

Në teatër interpretoi figura si Milo Tafani në komedinë “Shi në plazh” (1983) nga Teodor Laço, Abaz Kola në “Shtëpia me dy porta” (1984) nga Ruzhdi Pulaha, si dhe Shazo në “Familja e peshkatarit” (1984) nga Sulejman Pitarka.

Ai njihej për një natyrë të veçantë interpretuese, ku elementët komikë dhe “fshatarakë” të karaktereve i kthente në pjesë të stilit të tij artistik, duke krijuar një mënyrë loje origjinale dhe të vështirë për t’u përsëritur. Individualiteti i tij u formësua veçanërisht në kinematografi, ku në role dytësore ndërtonte tipa të gjallë, me origjinalitet plastik dhe shprehje të fortë skenike.

“Kur zbardhi një ditë” (1970) – Sulo ballisti
“Malet me blerim mbuluar” (1971) – Osmani
“Njeriu me top” (1977) – Tosun Baçi
“Koncert në vitin 1936” – Tellalli
“Radiostacioni” (1979) – Mete Aliu
“Dhe vjen një ditë” (1986) – Dajë Alushi
“Përrallë nga e kaluara” (1987) – plaku i sertë
“Shkëlqim i përkohshëm” (1988) – babai i Danes (për të cilin fitoi Çmimin e Dytë në Festivalin e Filmit)
“I dashur armik” (2005) – tregtari çifut


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë