Komunitet

Inceneratorët, kundër “urdhrave” të BE

Megjithëse në vitin 2011 Shqipëria krijoi një strategji të menaxhimit të mbetjeve, shumë të përafërt me direktivat e Bashkimit Europian ajo është përmbysur. Aty metoda e asgjësimit të mbetjeve me djegie (inceneratorë) sugjerohej në fund të opsioneve kur ishin shteruar mundësitë e tjera. Qëllimi është i dukshëm: Të shkaktohet sa më pak dëm në mjedis, për të mos rrezikur ndotjen e ujit, ajrit, tokës, arave, apo kafshëve.

Përpara se mbetjet të digjen synohej ndarja dhe ricikilimi i tyre, pas i sillte jo vetëm më pak dëme, por edhe edhe më shumë përfitime ekonomike. Djegia sugjerohej vetëm për rastet kur prej tyre prodhohej energji.

Por, në 2017-n Qeveria shqiptare e ndryshoi strategjinë, duke përmbysur piramidën e Bashkimit Europian dhe nga parandalimi dhe riciklimi u përqëndrua tek teknologjia e inceneratorëve, ose djegies së tyre në tre projekte që nisën të zbatohen në Elbasan, Tiranë dhe Fier. Ndryshimi i beftë i strategjisë dhe fakti që pas të tre inceneratorëve qëndrojnë të njëjtët emra ka ngritur akuza dhe dyshime se bëhet fjalë për projekte klienteliste.

Qeveria këmbëngul se strategjia e re është e duhura dhe ka dhënë rezultat duke reduktuar pirgjet me plehra në Sharrë dhe gjetkë ku po zbatohet dhe se përveç kësaj do të prodhojnë edhe energji. Në lidhje me ndikimin në mjedis, Qeveria thotë se impakti i tyre është minimal dhe jep garanci duke thënë se “bëhet fjalë për teknologji me standarde që redukton në maksimum emëtimet e gazrave të dëmshme në ajër”, megjithëse bie ndesh me direktivat e Bashkimit Europian, që është theksuar edhe në raportin e fundit të Komisionit.

“Ndërtimi i inceneratorëve të rinj përbën shqetësim në kuptimin e përputhshmërisë me kuadrin ligjore të BE-së për trajtimin e mbetjeve, parimin e hierarkisë së trajtimit të tyre dhe objektivat e riciklimit”, thuhet në raportin e KE.

Kryeministri Edi Rama gjatë përurimit të inceneratorit të Elbasanit

Burime nga Ministria e Mjedisit thonë për gazetën “Si” se ata e kanë shumë të qartë se strategjia e djegies së mbetjeve bie ndesh me direktivat e Komisionit Europian, por thonë se qasja e re u kushtëzua nga dalja jashtë kontrollit e situatës dhe pamundësia financiare, logjistike dhe burimeve njerëzore për t’u përballuar me këtë situatë të jashtëzakonshme.

Sipas Strategjisë, radha e investimeve është në përputhje me hierarkinë e mbetjeve. Por në pamundësi për të respektuar hierarkinë zyrtarët po ndryshojnë strategjinë.

“Pamjaftueshmëria financiare e bëri të parealizueshme këtë strategji. Objektivat e mëparshme ishin tepër ambicioze për kushtet tona”, thotë një zyrtare e lartë në Ministrinë e Mjedisit.

Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e inceneratorëve? Studimet pro inceneratorëve rendisin një sërë avantazhesh të tyre. Sipas tyre inceneratorët kërkojnë më pak hapësirë se landfillet tradicionale dhe shpërbëjnë mbetjet deri në masën 95 për qind dhe se, shmangin ndotjen e ujit, e i prodhojnë energji duke shmangur edhe çlirimin e gazit metan në atmosferë, që vlerësohet si shkaktari kryesor i ngrohjes globale.

Vendgrumbullimi i mbetjeve në Sharrë

Disavantazhet e kësaj teknike të trajtimit të mbetjeve nga ana tjetër nuk janë të pakta. Ekspertët në SHBA dhe Europë kanë renditur që prej viteve ’70-’80 së pari koston e lartë të ndërtimit dhe mbajtjes në punë të tyre. Së dyti, pavarësisht përparimit të teknologjisë, është ende e pamundur që të parandalohet çlirimi në ajër i dioksinave, që fajësohen si shkaktaret kryesore të kancerit. Në 2013 kjo u konfirmua edhe nga një studim i kryer në Malajzi, ku aktivistë të shoqërisë civile gjetën rritje me disa herë të rasteve me kancer tek banorët që jetonin pranë zonave ku ishin ngritur inceneratorë. Pas këtyre gjetjeve, qeveria vendase vendosi mbylljen e tyre, ndërsa mbështetësit akuzuan kompanitë se nuk kishin respektuar standardet në ndërtimin e inceneratorëve.

Së treti, inceneratorët nuk nxisin riciklimin, duke prodhuar një efekt të kundërt, pra duke nxitur prodhimin e më shumë mbetjeve. Së katërti, studime të shumëfishta në SHBA dhe BE kanë dalë në përfundimin se hiri që mbetet nga djegia e mbeturinave, nëse nuk trajtohet siç duhet mund shkaktojë një katastrofë mjedisore. Së pesti, inceneratorët ushqejnë atë që njihet si “racizm mjedisor” dhe shpesh ngrihen në zona të banuara ku komuniteti është i dobët dhe jo në gjendje që ta kundërshtojë.

Megjithatë, në krahasim me landfillet, edhe nga vetë Bashkimi Europian inceneratorët vlerësohen si “e keqja më e vogël”, por që nuk këshillohet për vendet me struktura të brishta shtetërore dhe nivel korrupsioni të lartë për t’u aplikuar. Arsyeja është se në këto vende, për efekt reduktimi të kostove mund të sakrifikohet siguria mjedisore, duke aplikuar standarde të ulëta në ndërtimin dhe funksionimin e inceneratorëve.

Sa i takon prodhimit të energjisë, një studim i Qendrës Kërkimore të Shërbimit të Shkencës dhe të Dijes në Komisionin Europian ka dalë në përfundimin se “inceneratorët mund të jenë me leverdi ekonomike për rryma të caktuara mbetjesh, të cilat kanë vlera të larta kalorifike, por nëse vihen në peshore edhe efektet anësore të ndikimit në mjedis, rezulton se riciklimi ka kosto më të ulët për shoqërinë”.

Përveç kësaj, në Shqipëri janë hedhur akuza se nuk ka një proces seleksionimi të mbetjeve që shkojnë për t’u djegur, për të shfrytëzuar ato që potencialisht kanë më shumë vlera kalorifike dhe rrjedhimisht prodhojnë më shumë energji. Shoqata e Ricikluesve ka ngritur vazhdimisht shqetësimin që prej 2017-ës se në incenerator po përfundon edhe lënda parë e industrisë së riciklimit në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë