Ngjarje

Përplasjet për Aeroportin e Vlorës, Pacolli: Policia është vënë në shërbim të interesave të errëta

Nga Gazeta Si- Përplasjet në aeroportin e Vlorës vazhdojnë prej ditësh tashmë, me dy kompanitë e Valon Ademit dhe Behgjet Pacollit që janë nën krye të debateve.

Ditën e sotme Behgjet Pacolli ka përfshirë edhe Policinë e Shtetit, duke thënë se është manipuluar dhe është vënë në shërbim të së keqes.

“Prej katër ditësh me radhë, Policia e Shtetit, përmes dhunës verbale, fyerjeve, kërcënimeve dhe pengesave të pajustifikuara, po ndalon aksesin e mjeshtërve, inxhinierëve dhe profesionistëve shqiptarë e ndërkombëtarë në vendet e tyre të punës”, thotë Pacolli në një postim në rrjetet sociale, duke thënë se mes tyre ndodhen edhe mbi 50 specialistë nga Kina, të cilët aktualisht gjenden në konviktin e punëtorëve të Mabcos, brenda perimetrit të rrethuar me tela, me liri lëvizjeje të kufizuar, “madje edhe për nevoja bazike si furnizimi me ushqim dhe medikamente. Ata po jetojnë të frikësuar dhe në një gjendje presioni të vazhdueshëm psikologjik”.

Sipas Pacollit, një trajtim i tillë është jo vetëm i padrejtë dhe i papranueshëm, por ngre dyshime serioze për abuzim me autoritetin shtetëror dhe për përdorimin e Policisë së Shtetit jashtë misionit të saj ligjor.

“Policia nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si instrument presioni ndaj punëtorëve, specialistëve dhe profesionistëve që kërkojnë thjesht të ushtrojnë detyrën e tyre. Kur uniforma shtetërore vihet në shërbim të interesave të errëta, cenohet jo vetëm e drejta e individit, por edhe besimi i qytetarëve te shteti dhe drejtësia”, thotë Pacolli.

Ndërkohë, një ditë më parë,, në një tjetër postim, Pacolli tha se nuk do të luftojë me shtetin.

“Aeroportin- le ta marrin! Shteti e ka fuqinë e vet dhe mund ta përdorë si të dojë. Por mënyra se si po përdoret kjo fuqi është joligjore dhe e papranueshme për një vend që pretendon të jetë shtet ligjor”.

Nga ana tjetër, Vlora International Airport ka deklaruar se kompania e Pacollit u përjashtua nga projekti i aeroportit për shkak se nuk ka mbyllur në kohë punimet e terminalit, duke shkaktuar një dëm financiar prej mbi 4.6 milionë eurosh ndërkohë që përfaqësues të kompanisë “Mabco” thanë se i kanë përfunduar të gjitha detyrimet kontraktuale.

Përplasja ndërmjet Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit ka nisur në vjeshtën e 2025 për administrimin e VIA-s. Palët kishin firmosur një kontratë noteriale, sipas së cilës pjesa e “2A Group” do të rritej nga 2 në 49 për qind, por kjo kontratë nuk u regjistrua në QKB.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë